Emiljano Vila do të vazhdojë edhe në sezonin e ardhshëm me Teutën, me synimin për të lënë pas aventurën e hidhur të sezonit të shkuar, kur nuk u sigurua as kualifikimi në Europë. Kapiteni i ekipit durrsak, pohoi se ekipi është gati për startin e sezonit dhe si fillim synohen të paktën 7 pikë në tri ndeshjet e para, ku dy prej tyre do t’i luajnë në shtëpi. Për momentin, kapiteni i bluve nuk do të përmendë emra për ekipet rivale, pasi është ende herët.
Emiljano, keni përmbyllur fazën përgatitore në Korçë. Jeni tri javë para ndeshjes hapëse të kampionatit të ri. A është Teuta gati për startin e sezonit të ri futbollistik?
Sigurisht që jemi gati. Për mendimin tim, kemi bërë një fazë përgatitore shumë të mirë. Them se jemi gati për ndeshjen e parë të kampionatit të ri. Shpresoj të fitojmë dhe ta nisim me këmbën e mbarë. Është shumë e rëndësishme të fitohet ndeshja e parë, pastaj të vijojmë me rezultate sa më të mira. Qetësia dhe siguria rriten në skuadër nëse e fillojmë garën me një trepikësh.
Në dy edicionet e shkuara, e keni nisur kampionatin në shtëpi, kësaj here luani në transfertë. Mos është kjo e “treta e vërteta”?
Po, e kam menduar edhe unë këtë gjë. Na ka qëlluar ta fillojmë kampionatin dy herë në shtëpi, me Partizanin sezonin e shkuar dhe më herët ndaj Bylisit. Do Zoti rezulton ashtu si thoni ju, “e treta e vërteta”.
Në skuadër janë bërë shumë ndryshime. Sipas jush, si e shihni këtë Teutë?
Sikurse e përmenda, te Teuta janë bërë disa ndryshime në merkaton e kësaj vere. Sezonet e kaluara kemi pasur luhatje, ndoshta në mbrojtje kemi vuajtur mungesën e qetësisë, kurse kësaj here shpresoj që mbrojtja jonë të jetë më e mirë. Shpresoj që të gjitha repartet të bëjmë më të mirën dhe të funksionojmë si grup lojtarësh.
Cilat skuadra i shikoni si rivalet më serioze këtë sezon?
Mund të them se rivalë do të jenë disa ekipe, por s’mund të përcaktoj dot emra, sepse është ende herët. Shpresojmë shumë të bëjmë mirë, edhe pse e dimë se do të jetë kampionat i gjatë dhe i vështirë.
Si e shikoni sfidën e parë në kampionat me Laçin dhe cilat janë objektivat e Teutës?
Ndaj Laçit duhet të fitojmë për ta nisur mbarë kampionatin e ri. Objektivat tanë do t’i shohim rrugës, duhet të flasim në fushën e lojës. Duke parë edhe përbërjen e skuadrës, shpresojmë të bëjmë mirë deri në fund të garës.
A keni një mesazh për tifozët blu në prag të fillimit të sezonit të ri?
I ftoj të jenë sa më të shumtë në stadium, të na përkrahin si gjithmonë, duke nisur që nga ndeshja e parë ndaj Laçit.