Modelja e njohur shqiptare që po bën karrierë në SHBA, Emina Çunmulaj, ka folur për herë të parë në një program televiziv shqiptar. Në emisionin e mëngjesit “Wake Up” në “Top Channel” (në një lidhje me Skype), ajo ka treguar gjithçka mbi jetën që bën atje duke nisur që nga marrëdhënia me bashkëshortin e saj Sam Nazarian dhe vajzën Ella Faria, si dhe disa sekrete për profesionin.
Emina ka rrëfyer se bashkëshorti i saj është “boss” ashtu siç komentojnë shumë media, por nga ana tjetër ai është një njeri shumë i thjeshtë që ndihmon njerëzit në nevojë dhe gjithçka e bën me shumë zemër. “Ai gjithçka e bën me zemër dhe në favor të të tjerëve, ndaj e mbështes në gjithçka merr përsipër”, – është shprehur Emina, duke mos e mohuar në asnjë çast se ajo bën një jetë luksi që nuk ka shumë rëndësi sepse me rëndësi është shëndeti dhe lumturia familjare.
Për sa i përket modelingut, ajo është shprehur se i pëlqejnë markat serioze, kurrë nuk ka dashur të jetë një modele e “Victoria's Secret” sepse e quan këtë shumë komerciale dhe aspak profesionale. Emina zbuloi se do të jetë e pranishme në “New York Fashion Week” në muajin shtator dhe se mezi po e pret këtë mundësi të re në modeling.
Ajo u ka bërë thirrje gjitha vajzave të kujdesen për trupin e tyre që ato të jenë të lumtura, por jo për të arritur trupat e modeleve, sepse ato sakrifikojnë vërtet shumë për ato forma që kanë.