Pas më shumë se dy dekadash larg syve të publikut sa i përket jetës sentimentale, duket se Eminem është gati të hapë një kapitull të ri. Reperi fitues i çmimeve Grammy, i njohur për privatësinë e tij ekstreme, raportohet se po takohet me stilisten e tij prej vitesh, shqiptaren Katrina Malota, një emër i njohur në botën e modës dhe muzikës.
Sipas burimeve të afërta me artistin, Eminem dhe Katrina janë parë shpesh bashkë kohët e fundit, duke kaluar më shumë kohë përtej marrëdhënies profesionale. Ata njihen prej vitesh, që prej kohës kur Malota punonte në projektet muzikore dhe xhirimet e videove të reperit.
Katrina, e cila ka jetuar në Detroit, njësoj si Eminem, ka një karrierë të pasur si stiliste dhe make-up artiste. Ajo ka punuar me disa nga emrat më të mëdhenj të industrisë, përfshirë Snoop Dogg, Robin Thicke dhe 50 Cent, ndërsa aktualisht është pjesë e një saloni prestigjioz në Birmingham, Michigan.
Kjo është hera e parë që emri i Eminem lidhet me dikë pas ndarjes së tij nga ish-bashkëshortja Kimberly Scott, me të cilën u divorcua përfundimisht në vitin 2006. Që atëherë, reperi ka qenë tepër i rezervuar për jetën e tij personale, duke deklaruar në një intervistë për Rolling Stone se daljet publike i shmang për shkak të famës së madhe që e shoqëron:
“Nuk është se nuk dua të dal me dikë, por thjesht është e vështirë të njoh njerëz të rinj në pozicionin ku jam. Nuk mund të shkoj thjesht për darkë e film është çmenduri,” – kishte rrëfyer ai dikur.
Megjithatë, duket se Katrina ka arritur ta thyejë këtë mur. Një person i afërt me çiftin ka treguar se ata ndajnë jo vetëm një lidhje profesionale, por edhe “një mirëkuptim të thellë dhe natyral që ka lindur me kalimin e kohës”.
Kjo periudhë e re për Eminem përkon me një tjetër lajm të bukur në jetën e tij familjare. Vajza e tij Alaina Scott ka njoftuar së fundmi se është në pritje të fëmijës së parë me partnerin e saj, Matt Moeller.
Ndërsa fansat e reperit spekulojnë për lidhjen e re, një gjë është e sigurt: Eminem duket se po hyn në një fazë më të qetë dhe më të ndritur të jetës së tij mes dashurisë, familjes dhe krijimtarisë artistike që e ka mbajtur në majat e muzikës për më shumë se dy dekada.





