I ftuar në “E Diell”, si rrallëherë Artan Hoxha, ka folur i emocionuar për familjen e tij. Ai tregon se gruaja e tij Nevila ka qenë një mbështetje tepër e madhe në karrierën e tij, ku pa të Hoxha nuk do ishte ky që është sot.

Ai flet me krenari dhe për djalin e tij Geri 23 vjeç, i cili në gjimnaz apo në shkollë të lartë nuk ka dashur asnjëherë prezencën e të atit në shkollë sepse nuk dëshironte që të njihej si djali i Artan Hoxhës, por për gjërat që ai vetë bënte.

“Nëse nuk do të ishte Nevila, unë nuk do të isha ky që jam sot, është njeriu që të mbron krahët, që të motivon, është njeriu që të relakson, që të qetëson. Gjej mundësinë që t’i kërkoj jashtëzakonisht ndjesë për shqetësimet që i kam sjellë, sidomos prej punës. Imagjino, unë jam i mësuar, jam i rrahur me vaj dhe uthull për punën që bëj. Por ata nuk janë kështu, ajo është njeriu që lexon, interpreton, unë se kam problem, nuk i shikoj lajmet dhe portalet. Informacioni që vjen, ajo më thotë ndiqe këtë ngjarje sepse më duket interesante, unë jam bërë shumë i ftohtë me këtë gjë.

Nuk e di por jam i sigurt që nëse nuk do të ishte Nevila, unë nuk do të isha sot ky që jam. Një ndjesë tjetër është, sidomos Geri është djali im 23 vjeç, ka mbaruar për laborant dentar është një njeri që ndihet shumë krenar që është djali im por më thotë aman mos hajde, edhe kur ishte në shkollë edhe në gjimnaz edhe në shkollë të lartë. Mos hajde ti se nuk dua të kem probleme se s’bëj dot asnjë gjë. Çfarëdo që bëj, do thonë e bëri djali i filanit. Më lër thoshte që të bëj jetën time”, është shprehur Artan Hoxha.