SPAK ka lëshuar 15 urdhër-arreste mbrëmjen e kësaj të premteje për aferën e inceneratorit të Tiranës.
Një prej të arrestuarve është edhe Taulant Tusha, drejtor i Infrastrukturës në bashkinë e Tiranës. Ai ka qenë një nga më të përfolurit në çështjen e inceneratorit të Tiranës. Në dosjen e SPAK, Taulant Tusha është përmendur për kontaktet që ai ka mbajtur me Klodian Zoton.
Sipas të njëjtave burime, edhe disa të ndaluar të tjerë janë zyrtarë të bashkisë. Mediat raportojnë se urdhër-arresti janë lëshuar edhe për ish-ministrin e Mjedisit, Lefter Koka si dhe ish-deputetin e PS-së, Alqi Bllako të dy dënuar nga GJKKO për inceneratorin e Elbasanit dhe që aktualisht ndodhen në burg. Urdhër-arresti ka edhe për “bosët” e inceneratorëve Mirel Mërtiri dhe Klodian Zoto të cilët siç dihet janë në arrati.
Mediat raportojnë se “arrest në burg” është kërkuar edhe për Erjon Muratajn, Bledar Karolin, Namik Simixhium, Jetmir Llapajn dhe Pëllumb Abeshin. Të njëjtat burime raportojnë se është caktuar masa e sigurisë “Arrest shtëpie” për Alba Thoma, Valbona Ballgjini, Sidita Kopliku, Etleva Kondi dhe Sidita Tola.