Bashkia Durrës do të zhvillojë më datat 9 dhe 10 janar 4 shorte publik për të shpërndarë apartamente për të pastrehët e tërmetit, në sitin e ri në Spitallë, por edhe në pallatet e rindërtuara në njësinë administrative nr.5 dhe në Zonën e Re për Zhvillim Manëz.
Më datë 9 janar do të zhvillohen 3 shorte publik në sallën e Këshillit Bashkiak Durrës në orën 10.00, 11.00 dhe 12.00.
Këto shorte janë me numër të limituar përfituesish, ndërkohë që “DurrësLajm” po publikon në fund të këtij shkrimi listat respektive të të 3 shorteve.
Familjet përfituese do të sistemohen në banesat kolektive nr. 1&3 Rruga “Lura”, dhe nr. 15&23 rruga “Ahmet Dakli”, Njësia Administrative nr.5, Durrës, në Zonën e Re për Zhvillim Manëz si dhe në sitin e Spitallës.
“Mosparaqitja në këtë shorte e personave përfitues i heq të drejtën e ankimimit apo pretendimeve lidhur me rezultatet e këtij shorteu publik. Personat përfitues në pamundësi për të qenë pjesëmarrës në këtë shorte publik mund të përfaqësohen me prokurë. Në këto raste zbatohen dispozitat ligjore të përfaqësimit.”,- njofton bashkia.