Një sasi prej rreth 10 kg drogë, kokainë e heroinë, është sekuestruar nga karabinierët e Chieti-t në Itali, që kanë arrestuar tre shqiptarë.

Në pranga janë vënë Armando Greca, 25 vjeç, Moris Greca 21 vjeç e Amendea Jaupaj 23-vjeçe. Droga, sipas karabinierëve, nëse do të hidhej në treg do të gjeneronte rreth 1 milion euro.

Efektivët kanë kryer një kontroll rutinë në makinën tip “Smart For Two” që drejtohej nga Moris Greca, ku u gjetën 900 gr kokainë e cilësisë së lartë, të ndara në dy paketime. Ajo që i ngjalli dyshime agjentëve ishte sjellja nervoze e të riut.

Automjeti i 21-vjeçari ndiqej nga afër nga një tjetër makinë, nën drejtimin e së cilës ishte kushëriri i Morisit, Armando, me precedentë të mëparshëm për drogë.

Efektivët kanë kryer një kontroll në banesën, ku dy të rinjtë jetonin me qira në komunën "Francavilla al Mare".

Aty ishte edhe e dashura e Morisit, Amendea Jaupaj, e cila ishte lënë në shtëpi për të ruajtur sasinë prej 9 kg heroinë, shkruajnë mediet italiane. Droga u gjet brenda një valixheje.

Sasia e drogës u sekuestrua, ndërsa tre të rinjtë shqiptarë u arrestuan me akuzën e posedimit të drogës me qëllim trafikimin dhe u dërguan në paraburgim, në burgun e "Madonna del Freddo".