Vijon operacioni policor kombëtar i koduar “Sundimi i ligjit”, i cili ka si qëllim kapjen e shtetasve të shpallur në kërkim dhe të atyre që posedojnë armë zjarri, pa leje.
Ndalohen 4 shtetas të kërkuar për vepra të ndryshme penale:
-një 32-vjeçar i dënuar me 3 vjet burgim, për mashtrim lidhur me TVSh-në;
-një 38-vjeçar që i vodhi para 2 ditësh, automjetin tip “BMW”, një shtetasi italian, në Durrës. Ndalimi i 38-vjeçarit dhe gjetja e automjetit të vjedhur, u bënë në fshatin Manati, Lezhë, si rezultat i bashkëpunimit ndërmjet komisariateve të të dy qarqeve;
-një shtetas, për përndjekje dhe një shtetas me masë sigurie, për dhunë në familje.
Si rezultat i kontrolleve dhe veprimeve të tjera procedurale të kryera me intensitet, nga shërbimet e Drejtorisë Vendore të Policisë Durrës, në vijim të operacionit policor kombëtar të koduar “Sundimi i ligjit”, si dhe me mbështetjen e informacioneve të siguruara nga inteligjenca policore, u vunë në pranga shtetasit:
-Regan Merdani, 32 vjeç, banues në Tiranë, i cili u lokalizua dhe u kap në lagjen nr. 4, pasi Gjykata e Apelit, Tiranë, e ka dënuar me 3 vjet burgim, për veprën penale “Krijimi i skemave mashtruese lidhur me tatimin mbi vlerën e shtuar”. Hetimet për 32-vjeçarin kanë nisur që në vitin 2016 dhe si rezultat i tyre është provuar se ky shtetas e kryente mashtrimin lidhur me TVSh-në, përmes një biznesi në fushat e prodhimit dhe tregtimit të produkteve ushqimore;
-Ermir Jaku, 38 vjeç, pasi dyshohet së më datë 13.11.2023, ka vjedhur në lagjen nr. 18, një automjet tip “BMW”, në pronësi të një shtetasi italian, banues në Durrës. Si rezultat i koordinimit të informacioneve dhe veprimeve me shërbimet e Komisariatit të Policisë Lezhë, 38-vjeçari u vu në pranga në banesën e tij, në fshatin Manati, Lezhë, ku dhe u gjet automjeti i vjedhur. Vijojnë hetimet për të identifikuar shtetasit e tjerë që mund të jenë implikuar në këtë vjedhje.
-Erindi Prela, 33 vjeç, banues në Laç, pasi dyshohet se për rreth një vit, ka përndjekur një 24-vjeçare;
-Dritan Mega, 48 vjeç, banues në lagjen nr. 8, pasi Gjykata e Shkallës së Parë e Juridiksionit të Përgjithshëm Durrës i ka caktuar masën e sigurisë “Arrest në burg”, për veprën penale “Dhuna në familje”. 48-vjeçari akuzohet se në mars të vitit 2023, ka dhunuar bashkëshorten e tij.
Operacioni policor “Sundimi i ligjit”, vijon.
Materialet procedurale i kaluan Prokurorisë pranë Gjykatës së Shkallës së Parë të Juridiksionit të Përgjithshëm Durrës, për veprime të mëtejshme.