Policia e Durrësit ka ndaluar dy autorët e dyshuar të vjedhjes së zyrave të Prokurorisë Durrës, dhe po ashtu ka ndaluar edhe rojën private të SH.P.S.F. nën akuzën për shpërdorim detyre. 

Më datë 24.05.2018 nga ana e Specialistëve për Krimet në Komisariatin e Policisë Durrës  u bë ekzekutimi i urdhrave të ndalimit të Prokurorisë për shtetasit:

• Nias Lena 56 vjeç, banues në Durrës, roje private, i caktuar me shërbim në orarin kur janë vjedhur zyrat e Prokurorisë;

• Artur Isa 49 vjeç, banues në Sukth i Ri Durrës, me precedentë penalë të mëparshëm.

• Besnik Bushi 54 vjeç, banues në Durrës, me precedentë penalë të mëparshëm.

Dy shtetasit e mësipërm A.Isa dhe B.Bushi në bashkëpunim me njëri-tjetrin dyshohet se janë autorë të vjedhjes së zyrave të Prokurorisë Durrës.

Ata dyshohet se kanë hyrë në zyrat e prokurorisë dhe kanë vjedhur, dëmtuar dokumentet dhe kanë ndërhyrë në sistemin kompjuterik.

Materialet i kaluan Prokurorisë së Rrethit Gjyqësor Durrës për veprime të mëtejshme për veprën penale:

• "Shpërdorimi i detyrës" në ngarkim të shtetasit Nias Lena parashikuar në nenin 248 të Kodit Penal.

• "Ndërhyrja në sistemet kompjuterike" dhe "Zhdukja ose humbja e fashikullit" në bashkëpunim në ngarkim të shtetasve A.Isa dhe B.Bushi parashikuar në nenet 293/c/2 dhe 313/a , 25 të Kodit Penal.