Dy trafikantë droge nga Durrësi janë arrestuar nga policia e Tiranës në kuadër të finalizimit me sukses të operacionit antidrogë të koduar "High Class". Gjatë këtij operacioni janë sekuestruar 1 kg e 52.8 gr lëndë narkotike e dyshuar e llojit "Kokainë".
Në pranga kanë rënë Ermir Bajramaj 37 vjeç dhe Besim Hajdaraj 47 vjeç, të dy banues në Durrës, që sipas policisë, e shpërndanin lëndën narkotike në zonën e "ish-Bllokut", në lokalet e natës.
Në pamjet e shpërndara nga Policia e Tiranës duken dy trafikantët e shtrirë në tokë teksa prangosen.
Njoftimi i policisë:
Tiranë. Finalizohet operacioni antidrogë i koduar "High Class". Sekuestrohet 1 kg e 52.8 gr lëndë narkotike e dyshuar e llojit "Kokainë". Arrestohen në flagrancë dy shtetas, që shpërndanin lëndën narkotike në zonën e "ish-bllokut".
Nga Seksioni për Hetimin e Narkotikëve në DVP Tiranë, në vijim të punës për goditjen e veprimtarisë kriminale në fushën e lëndëve narkotike dhe kryesisht për drogat e forta, bazuar në informacionet e siguruara në rrugë operative, u finalizua me sukses një tjetër operacion antidrogë i koduar "High Class".
Si rezultat i operacionit, në rrugën “Kongresi Manastirit”, u bë kapja dhe arrestimi në flagrancë i dy shtetasve:
• Ermir Bajramaj, 37 vjeç, banues në Durrës.
• Besim Hajdaraj, 47 vjeç, banues në Durrës.
Dy shtetasit e lartpërmendur qarkullonin me automjetin tip "Nissan micra" me targë DR 3425 F, që drejtohej nga shtetasi Ermir Bajramaj dhe janë kapur në flagrancë, ku gjatë kontrollit të automjetit u gjet e u sekuestrua në cilësinë e provës materiale një sasi lënde narkotike e dyshuar “Kokainë” e cila pas peshimit rezultoi 1 kg e 52. 8 gr.
Lënda narkotike ishte e destinuar të shitej në qytetin e Tiranës, në lokalet e natës, në zonën e ish-Bllokut. Vijojnë veprimet për dokumentimin e plotë të kësaj veprimtarie kriminale. Materialet i kaluan Prokurorisë së Rrethit Gjyqësor Tiranë, për veprime të mëtejshme, për veprën penale të "Prodhimi dhe shitja e narkotikëve, kryer në bashkëpunim", parashikuar nga nenet 283 e 25 e Kodit Penal.





