Një grup shqiptarësh të specializuar për vjedhje dhe grabitje në banesa dhe vila të ndryshme në provincat e Ankonës dhe Maceratës, është goditur nga policia italiane.

Operacioni u krye nga policia në Osimo këtë mëngjes, ndërsa ndaj shqiptarëve ishin lëshuar urdhër-arrestet më 10 maj. Të tre akuzohen se kanë realizuar 15 grabitje brenda një muaji midis Anconas dhe Maceratas.

Tre shqiptarët e arrestuar janë Jetmir Çili, 25 vjeç, bosi, si dhe vëllezërit Dorjan Pjetri dhe Kenado Pjetri, 26 dhe 22 vjeç, të cilët besohet se ishin ekzekutorët. Ata ishin dënuar për krime të ngjashme edhe më parë, si në San Benedetto, ku ndaj tyre ishin lëshuar masa sigurie me detyrim me paraqitje. 

Sapo kishin mbaruar masën, ishin angazhuar sërish në grabitje. Nga grabitjet, shqiptarët kanë fituar rreth 70 mijë euro.

Treshja në fakt ishte arrestuar më 10 shkurt nga policia në Osimo, për një vjedhje në Loreto. Ata u kapën në flagrancë duke u larguar nga banesa e një 47-vjeçari.

Policia gjeti plaçkat e grabitura si bizhuteri të fshehura në një zgavër të posaçme të krijuara në automjetin e tyre, Mercedes A me ngjyrë blu.

Kërkimet në shtëpi, bënë të mundur zbulimin e sendeve të tjera prej ari me vlerë të lartë, ora të shtrenjta, etj.

Tre të rinjtë ishin atletë të vërtetë pasi arrinin të ngjiteshin me duar të "zhveshura" deri në katet e treta ose të katërta të ndërtesave duke u mbështetur tek telat elektrike. Prandaj, operacioni mori emrin "Alpinistët".

Ata vepronin pas orës 19:00, ku udhëtonin nga San Benedetto në Osimo dhe qytete fqinje pranë kabinave të autostradave.