Bashkia e Durrësit ka dhënë shpërblime financiare për 31 nxënësit e ekselencës të shkollave të mesme të bashkisë Durrës, 10 nga të cilët janë renditur ndër më të mirët e Maturës Shtetërore në të gjithë vendin, ndërsa nxënësit e tjerë janë fitues të Olimpiadave Kombëtare.
Në ceremoninë e rastit morën pjesë Kryetarja e Bashkisë së Durrësit Emiriana Sako, Drejtori i Arsim-Kulturës në bashkinë Durrës, Adrian Gurra, si dhe nxënësit ekselentë të cilët morën shpërblimin për rezultatet e larta. Në fjalën e saj kryebashkiakja Sako u shpreh se Bashkia e Durrësit i vlerëson dhe i mbështet nxënësit të cilët kanë rezultate të shkëlqyera si një brez i ri i cili do ta çojë përpara qytetin e Durrësit:
“Ne do ti mbështesim gjithmonë nxënësit ekselentë që arrijnë të tilla rezultate të larta. Ky shpërblim financiar është një akt modest që Bashkia e Durrësit realizon, por me anë të të cilit përcjellim mesazhin që ne i vlerësojmë të gjithë nxënësit të cilët kanë rezultate të shkëlqyera, ata të cilët japin kontribut më shumë, fituesit e olimpiadave në rang kombëtar dhe këtë do ta vazhdojmë ta bëjmë edhe në vitet e tjera, duke ju mbështetur fuqimisht, sepse ne besojmë tek e ardhmja, besojmë tek ju që jeni një brez i ri i cili do ta çojë përpara qytetin e Durrësit. Gjithashtu dua t’ju propozoj të bëheni pjesë aktive e këshillit rinor vendor që do të jetë një organ konsultativ pranë kryetarit të bashkisë për të përcjellë zërin e të rinjve në lidhje me politikat rinore që do të zbatojë bashkia e Durrësit. Unë ju falenderoj edhe një herë për përpjekjet, dua të falenderoj mësuesit por edhe prindërit për sakrificat që bëjnë për fëmijët, por nga ana tjetër dua t’iu jap edhe njëherë mesazhin që këto sakrifica që bëjnë prindërit, ju mund t’ia ktheni vetëm nëpërmjet të lexuarit, nëpërmjet të mësuarit. Ju uroj suksese dhe një vit të ri shkollor të mbarë.”
Më pas, së bashku me shpërblimet, kryebashkiakja Sako shpërndau edhe çertifikata mirënjohje për nxënësit e dalluar.