Një 36-vjeçar nga Shijaku është qëlluar me armë zjarri dhe ka mbetur i plagosur në këmbë.

Ngjarja u regjistrua rreth orës 11:15 dhe dyshohet të ketë ndodhur gjatë një konflikti të çastit, për motive të dobëta.

Policia vendore bëri me dije se shtetasi Arbër Hoxha 30 vjeç ka plagosur në këmbë jashtë rrezikut për jetën, shtetasin Enidor Dedja 36 vjeç.

Shërbimet e Policisë, me marrjen e njoftimit, shkuan menjëherë në vendin e ngjarjes dhe falë veprimeve të shpejta hetimore bënë të mundur identifikimin e autorit të dyshuar, 30-vjeçarin me banim në Durrës.

I plagosuri ishte punonjës në subjektin që u qëllua me armë, ndërsa autori është larguar me një “Ford Fiesta” nga vendi i ngjarjes.

Plumbat kanë dëmtuar dhe xhamat e një autobusi të parkuar në anën tjetër të rrugës, përballë vendit të ngjarjes.

Breshëri plumbash janë qëlluar nga 30-vjeçari në drejtim të njësisë që tregton aksesorë për automjete. Po vijon krehja e zonës për kapjen e tij, ndërsa grupi hetimor vijon punën për sqarimin e plotë të rrethanave të ngjarjes.