Detaje të tjera mësohen për ngjarjen tragjike në Elbasan, ku burrë e grua u dogjën të gjallë në banesën e tyre.

Viktimt Shyqo (Vasil) Liçi, 65 vjeç dhe gruaja e tij Sabire Liçi, 61 vjeçe u gjetën të djegur nga nipi në shtëpinë e tyre në fshatin Gjegjan të Elbasanit, por dyshimet e policisë janë se kryefamiljari i vuri vetë flakën banesës.

Akti ekstrem dyshohet të jetë marrë nga burri për shkak të sëmundjes së rëndë të gruas dhe neglizhencës së tre fëmijëve emigrantë të çiftit që nuk iu telefonin prej kohësh. 

Policia thotë se nga hetimet paraprake, dyshohet se shtetasi kryefamiljari Vasil Liçi ka hapur bombolën e gazit e më pas i ka vendosur flakën.

Informacioni paraprak:

Në fshatin Gjergjan, Elbasan, në banesë janë konstatuar pa shenja jete nga një i afërm i tyre shtetasit: V. Liçi, 65 vjeç, dhe bashkëshortja e tij shtetasja S. Liçi, 61 vjeçe.

Grupi hetimor në vendngjarje po punon për zbardhjen e plotë të rrethanave të ngjarjes, ku nga hetimet paraprake dyshohet se shtetasi V. Liçi ka hapur bombolën e gazit e më pas i ka vendosur flakën.

Si pasojë, kanë marrë flakë disa orendi shtëpiake si dhe dyshohet nga asfiksia kanë ndërruar jetë bashkëshortët.

Nipi i tyre ka konstatuar zjarrin dhe ka shkuar menjëherë në banesë duke u futur nga dritarja, por çifti kishte ndërruar jetë.