Dy shqiptarë, emigrantë të paligjshëm, janë burgosur për pjesën që kishin në një serë kanabisi prej 1,6 milion paundësh të ngritur në një ish-klub nate, njofton BBC.
Policia u lajmërua nga qytetarët për një erë të fortë marihuana që vinte nga një ndërtesë e vjetër e një klubi në zonën e West Walls të Carlisle në tetor.
Andiol Muçolli, 25 vjeç është parë duke dalë nga ambientet, i ndjekur pas pak kohe nga 42-vjeçari Iirjan Jaho. Burrat, të pastrehë dhe nga Shqipëria, e pranuan se prodhonin kanabis dhe u burgosën për dy vjet.
Gjatë një kontrolli në ndërtesë, policia zbuloi një sistem të sofistikuar në shkallë të gjerë të prodhimit të kanabisit, siç u tha në Gjykatën e Kurorës së Carlisle. Sistemi ishte shtrirë në nëntë dhoma dhe përfshinte pothuajse 1700 bimë – 276 prej të cilave ishin korrur tashmë.
Vlera e mundshme e drogës e klasit B e kontrolluar ishte me vlerë 1,6 milion paund, konkludoi një ekspert. Aty kishte sisteme ajrimi, ndriçimi, kontrolli të temperaturës dhe ujitje, duke përfshirë një tub të madh ngjyrë argjendi që kalonte nëpër ndërtesë dhe pjesërisht qe mbuluar me kuti kartoni të përthyera.






