Në repartin ushtarak të Kundërajrorit 3500 në Porto Romano ka ndodhur një shpërthim, ku kanë mbetur të plagosur një punonjës i Albkontrollit dhe një roje e repartit ushtarak.

Burime zyrtare nga policia e Durrësit bëjnë me dije se dy punonjësit e repartit ushtarak kanë pësuar djegie në pjesën e fytyrës pas shpërthimit të një kapsolle të ushtrisë, me përmbajtje baruti.

Po sipas të njëjtave burime, të plagosurit nga shpërthimi janë shtetasit E. Ndrec Kolndreu, punonjës i Alb Kontrollit, 37 vjeç, me banim në Tiranë dhe V. Myfit Shehaj, vjeç 46, banues në lagjen nr.15 të Durrësit, roje i repartit ushtarak.

Burime zyrtare të policisë së Durrësit, bëjnë të ditur për DurrësLajm se dy të lëndurit kanë qenë duke djegur mbeturinat dhe shkurret, pas pastrimit të oborrit të repartit.

Nga kontakti me zjarrin, baruti ka shpërthyer duke i djegur në gjymtyrët e trupit. Ata janë dërguar me urgjencë në fillim në spitalin e Durrësit dhe më pas janë çuar në repartin e djegieve plastike në Tiranë.

Në vendngjarje ka shkuar policia ushtarake, e cila ka nisur hetimet për ngjarjen. Objekti ku u regjistrua ngjarja aksidentale është në varësi të Ministrisë së Mbrojtjes.

Në majën më të lartë të kodrës së Porto Romanos, në Durrës gjendet reparti i Kundraajrorit dhe kullat e Albkontrollit, ku dhe u regjistrua ngjarja e mbrëmjes së sotme.

Njoftimi zyrtar:

Shtabi i Përgjithshëm i Forcave të Armatosura të Republikës së Shqipërisë dëshiron të informojë opinion publik se ditën e sotme datë 22 mars 2017, rreth orës 15:00, në një repart ushtarak në Porto Romano, Durrës, gjatë pastrimit të territorit të repartit ka patur një shpërthim nga i cili është dëmtuar lehtë në dorë dhe këmbë një ushtarak, rreshter në Forcën Ajrore, i cili është dërguar menjëherë në spital, ku ndodhet jashtë rrezikut për jetën.

Gjithashtu, gjatë shpërthimit ka mbetur i dëmtuar lehtë edhe një punonjës civil i agjencisë së trafikut ajror, Albcontrol.

Nga komunikimi i fundit me mjekët, gjendja shëndetësore e të lënduarve paraqitet e qëndrueshme dhe mund të largohen nga spitali pasi kanë pësuar vetëm djegie të lehta.

Policia Ushtarake dhe ajo e Shtetit kanë shkuar menjëherë në vendngjarje për të bërë verifikimet e nevojshme për nxjerrjen e shkaqeve të shpërthimit.

K.H.