Policia në Durrës arreston dy Inspektorë të Hetimit Tatimor dhe shpall në kërkim një tjetër.
Nga strukturat e Hetimit të Krimit Ekonomik e Financiar në DVP Durrës, në bashkëpunim me Prokurorinë e Rrethit Gjyqësor Durrës, pas një hetimi proaktiv 3-mujor për veprat penale ”Korrupsion pasiv personave që ushtrojnë funksione puplike”, “Korrupsion aktiv i personave që ushtojnë funksione publike” dhe “Shpërdorim të detyrës”, u arrestuan në flagrancë shtetasit:
• Gentian Elezi, 29 vjeç, banues në Tiranë;
• Artan Kroj 37 vjeç,banues në Tiranë.
Gjithashtu është shpallur në kërkim dhe po punohet për kapjen e shtetasit P.H. 43 vjeç.
Në ngarkim të tre shtetasve të mësipërm, me detyrë Inspektor të Hetimit Tatimor në Drejtorinë Rajonale të Tatim Taksave Tiranë Gjykata e Shkallës së Parë Durrës kishte vendosur masën e sigurisë “Arrest me burg” per nenet 259, 244, 248 e 25 të Kodit Penal.
Ryshfete deri në 200 000 lekë
Të lart-përmendurit në bashkëpunim me njëri-tjetrin duke shpërdoruar detyrën kërkonin dhe ju merrnin ryshfet bizneseve gjatë inspektimit të tyre, shuma në vlera monetare që shkonin deri në 200 000 lekë për çdo rast.
Vijon puna për kapjen e shtetasit të shpallur në kërkim.
Materialet i kaluan Prokurorisë për veprime të mëtejshme.
PD e publikoi rastin para policisë
Më herët gjatë mbrëmjes së djeshme, ishte Partia Demokratike e para që bëri publik rastin, sipas së cilës, njëri prej të arrestuarve, Artan Kroj “Kryetari i PS ne njesine nr 3 ne Tirane, drejtues ne Drejtorine e Pergjithesheme te Tatimeve, mik i deputetes Klotilda Bushka është arrestuar per korrupsion dhe gjobvenie ndaj bizneseve, por ngjarja po fshihet me urdher politik”, denoncoi PD.
Partia Demokratike vijoi më tej me akuzat duke deklaruar se “Artan Kroj nuk duhet të ishte fare në administratë, sepse ai rezulton i dënuar me 7 vjet burg për trafik ndërkombëtar droge në Greqi në vitin 2004 me emrin Marjels Kroj”.





