Në 23 mars priten të bëhen publikë emrat që PS do të kandidojë për kryebashkiakë në të gjithë vendin. Maxhoranca do t’i zbardhë emrat gjatë punimeve të Kongresit të PS, megjithëse disa prej tyre, Kryeministri po i zbardh vetë gjatë turit “Bashkia që duam”, që Rama ka ndërmarrë prej disa javësh.

Përsa i përket kandidatëve në Durrës, situata është ende e paqartë. Në një kohë kur të gjithë kujtuan se kryebashkiaku Vangjush Dako nuk do të rikandidojë për një mandat të katërt, pasi PS iu drejtua me një shkresë KQZ për mos lejimin e kandidimit të kryebashkiakëve me 3 mandate, refuzimi që KQZ i bëri selisë rozë e rikthen sërish Dakon në garë.

Përveç Dakos që as e ka pohuar dhe as e ka mohuar në mënyrë kategorike rikandidimin, një emër i lakuar që herët si pasues i tij është krahu i tij i djathtë për shumë vite në bashki, Ardian Çela. Ish-nënkryetari i bashkisë së Durrësit nga viti 2007 deri në fund të nëntorit 2014, shihet si një nga kandidatët më potencialë në garë. Një nga gjërat që mund ta penalizojnë Çelën është fakti se zakonisht kandidatët që lakohen që herët, nuk kandidohen. Nga ana tjetër, Çela është një emër shumë i njohur për socialistët e Durrësit dhe në të gjitha fushatat zgjedhore në qytetin bregdetar ka meritë personale për shtimin e numrit të votave në favor të Partisë Socialiste. Njëkohësisht eksperienca e fituar si nën kryetar bashkie dhe administrator i OSHEE ( që nga dhjetori 2014 deri tani) janë pika të forta në favor të tij.

Ndërkohë, një emër tjetër që ka nisur të lakohet mes socialistëve është ai i drejtorit të Ujësjellësit, Spartak Kovaçi. Prej më shumë se 5 vitesh, Kovaçi drejton UKD-në, institucion që 2 vite më parë ndërmorri aksionin për formalizimin e tregut të ujit dhe vendosjen e matësave si në abonentët familjarë ashtu edhe në biznese. Edhe Kovaçi është një emër i njohur në rrethin e socialistëve durrsakë dhe ajo që është më kryesorja, i pa përfolur nga e djathta për përfshirje në afera korruptive. Eksperienca e fituar në administrimin e ndërrmarrjes së Ujësjellësit mund t’i shërbejë në të ardhmen, nëse PS do t’i besojë atij kandidimin në postin e kryebashkiakut të qytetit nr.2 në vend, pas Tiranës.

Emri surprizë që ka dalë nga korridoret e bashkisë dhe PS-së së Durrësit vetëm ditët e fundit është ai i Rovena Vodës, zv/ministres së Brendshme. 42-vjeçarja nga Durrësi është me profesion juriste. Pas eksperiencave si juriste në një bankë të nivelit të dytë dhe pedagoge në Universitetin “Aleksandër Moisiu” në Durrës, Voda ka mbajtur postet e shefes së kabinetit në Ministrinë e Shtetit (shtator 2014-mars 2017), shefes së kabinetit në Ministrinë e Brendshme (mars 2017-maj 2017) dhe nga 22 maji i 2017 është zv/ministre e brendshme. Emri i saj ka nisur të lakohet vetëm ditët e fundit dhe mund të jetë femra e parë që mund të jetë kandidate nga rradhët e PS-së për bashkinë e Durrësit.

Nga ana tjetër, vazhdon të mbetet në fuqi vetëofrimi i Arbër Brahos, nënkryetarit aktual të bashkisë, që shprehu dëshirën për të qenë edhe ai një kandidaturë e socialistëve durrsakë. Në një intervistë rreth një javë më parë, babai i Arbrit, deputeti Spartak Braho, përforcoi edhe njëherë dëshirën publike të shprehur nga djali i tij për të qenë kandidaturë e propozuar nga socialistët durrsakë për postin e kryetarit të bashkisë.

M.B.