Specialistët për Krimet në Komisariatin e Shijak kanë finalizuar me sukses operacionin e koduar "Flash", në kuadër të së cilit kanë rënë në pranga një 22-vjeçar dhe një 29-vjeçar nga Shijaku.

Arrestimi i të rinjve është bërë pasi një ditë më parë, kanë kryer tre vjedhje banesash me thyerje në lagje të ndryshme të qytetit të Shijakut dhe një vjedhje motori në Tiranë.

Policia ka sekuestruar në cilësinë e provave materiale një automjet, katër biçikleta, dy televizora, njësi kompjuteri, disqe automjetesh.

NJOFTIMI I POLICISË

Specialistët për Krimet në Komisariatin e Policisë Shijak, në vijim të punës për zbardhjen  dhe dokumentimin e plotë të ngjarjeve të ndodhura në territorin e tyre, me qëllim vënien para përgjegjësisë penale të autorëve, kanë finalizuar me sukses operacionin e koduar "Flash".

Janë arrestuar dy shtetas, të cilët një ditë më parë kanë vjedhur më thyerje banesa në lagje të ndryshme të qytetit të Shijakut.

Janë arrestuar shtetasit:

Florjan Rushiti 29 vjeç, banues në Shijak;

• Serxho Llaftiu 22 vjeç, banues në Shijak, i dënuar më parë për vjedhje.

Policia në sajë të veprimeve hetimore të specializuara dhe të pandërprera ka dokumentuar me prova shkencore katër vjedhje të dyshuara të kryera nga shtetasit e mësipërm, konkretisht:

1. Më datë 20.02.2018, në lagjen "Popullore" Shijak dyshohet se kanë vjedhur magazinën e shtetasit R.K. ku kanë marrë  15 copë disqe automjetesh në vlerën 200 €/copa.

2. Më datë 20.02.2018,  në Shijak dyshohet se kanë vjedhur me thyerje banesën e shtetases D.D.  ku kanë  marrë tre televizorë të markave të ndryshme.

3. Më datë 20.02.2018,  në fshatin Shetel, Shijak dyshohet se kanë vjedhur me thyerje banesën e shtetasit J.T.  ku kanë marrë dy televizorë të markave të ndryshme.

4. Më datë 11.10.2017,  në Tiranë dyshohet se kanë  vjedhur një motor.

Janë sekuestruar në cilësinë e provave materiale:

  1. Një automjet tip  Benz në pronësi të shtetases L.R., të cilën e përdornin për trnasportimin e sendeve të vjedhura.
  2. Një motor me ngjyrë të zezë me mbishkrimin SYM e vjedhur në Tiranë më datë 11.10.2017.
  3. Katër biçikleta.
  4. Dy televizorë të markave të ndryshme.
  5. Njësi kompjuteri, monitorë, tastier.
  6. Tetë disqe alumini.

Materialet i kaluan Prokurorisë së Rrethit Gjyqësor Durrës për veprime të mëtejshme për veprat penale "Vjedhja" dhe "Përvetësimi i sendeve të vjedhura" parashikuar në nenet  134/2 dhe 287/b të Kodit Penal.