LSI ndez motorët e fushatës. Kryetarja e kësaj force, Monika Kryemadhi ka zhvilluar sot një takim me kryesinë e LSI-së në Durrës, për të ndarë e përcaktuar objektivat përpara zgjedhjeve të 25 prillit.
Para kryesisë, ajo prezantoi edhe figurat kryesore të kësaj force politike në qytetin bregdetar. Kryetare e LSI Durrës është caktuar Kontiana Kuçi, ndërsa kontabilisti Eno Karapici është nënkryetar i kësaj force politike.
Njëkohësisht, edhe Bujar Dhima, një nga themeluesit e degës së LSI në Durrës do të jetë nënkryetar i degës, ndërsa Vis Vata do të jetë sekretar i përgjithshëm dhe do të drejtojë nga ana organizative fushatën e zgjedhjeve të 25 prillit 2021.
Formatimi i degës së Durrësit vjen rreth 1 vit e gjysëm pas përjashtimit nga radhët e partisë të deputetit Lefter Koka, i cili refuzoi t’i bindej vendimit të strukturave drejtuese për të dorëzuar mandatin. Që nga dita e parë e formimit të LSI Durrës, ajo është identifikuar me Kokën që ka fituar 3 herë rresht mandat deputeti dhe ngriti në këmbë e drejtoi strukturat e kësaj dege për shumë vite me radhë.
Gjatë takimit, Kryemadhi ishte e bindur që LSI-ja jo vetëm do dilte forcë e parë në Durrës, por do t’i “thyente” hundët kryeministrit Rama, duke çinstaluar krimin e rrënjosur prej tij, siç u shpreh Kryemadhi.
“Detyra jonë, sfida që kemi nuk është thjesht angazhimi i të rinjve por do punojmë për t’ja kthyer këtë qytet banorëve, për ta ndarë politikën nga krimi, nga baltosja e imazhit të qytetit të Durrësit. Sot qyteti është grabitur nga një grup njerëzish që ka krijuar një situatë problematike për vetë banorët. Të ndezim motorët, të ndahemi në çdo qendër votim, jo thjesht për vota për LSI, por të krijojmë bindjen që Shqipëria është shtëpia e shqiptarëve. Nga Durrësi dhe gjithë Shqipëria ne kemi nevojë për përfshirjen e intelektualëve, profesionistëve që të jenë pjesë e hartimit të qeverisjes nesër. Sot mendojmë që Durrësi ka nevojë për një fytyrë të re, pasi shiu i 25 prillit do ta lajmë baltën e hedhur në Durrës e do rikthejë shkëlqimin e dikurshëm”.– tha kryetarja e LSI.





