Shtatë persona janë vënë në pranga në Korçë, pasi akuzohen për shitje kokaine dhe kanabisi. Gjatë këtij operacioni është arrestuar edhe pronari i një lokali nate.
Të arrestuarit janë Armando Kokot, 18 vjeç, Mario Kokot, 22 vjeç (vëllezër), Leodin Rungo, 37 vjeç, Johan Mukollari, 42 vjeç dhe Agron Berisha, 44 vjeç, të gjithë banues në Korçë.
Gjatë kontrollit të ushtruar nga shërbimet e Policisë në një lokal me muzikë live, me vendndodhje në kilometrin e parë të rrugës Korçë-Dishnicë, në afërsi të tavolinës ku ndodheshin persona e mësipërm u kapën 3 doza me lëndë narkotike të dyshuar si “kokainë” të fshehura në një paketë cigaresh, si dhe 27 gramë bimë narkotike e dyshuar kanabis, e futur në qese plasmasi.
Gjithashtu në vijim të hetimeve lidhur me këtë rast u bë kapja dhe arrestimi në flagrancë i shtetasit Aleks Kostreci, 44 vjeç, banues në Korçë, pronar i këtij lokali, i dyshuar për konsumim të veprës penale: “Përshtatja e lokalit për përdorim droge” dhe Elton Liço, 46 vjeç, banues në Korçë, truproja i lokalit, për veprat penale: “Moskallëzim krimi” dhe “Veprime që pengojnë zbulimin e të vërtetës”.
Në hetim është vënë edhe 26-vjeçarja me inicialet E.K., bashkëshortja e pronarit për veprat penale: “Punësimi i paligjshëm” dhe “Fshehja e të ardhurave” pasi rezulton se në këtë lokal, kjo shtetase nuk lëshonte kupon tatimor për klientët, si edhe kishte punësuar dy punonjës, të cilët i kishte të padeklaruar në skemën e sigurimeve shoqërore.





