Një grup që falsifikonte dokumente për xhamat e zinj të automjeteve është goditur nga Policia e Tiranës, duke çuar në pranga edhe një mjek si dhe një specialist në Qendrën e Kontrollit Teknik pranë DRSHTRR Durrës.  

Prokuroria e Tiranës firmosi 8 urdhër-arreste, nga të cilat 7 janë ekzekutuar dhe 1 tjetër është shpallur në kërkim.

Mes të arrestuarve ka edhe zyrtarë të Drejtorisë së Transportit rrugor. Nga hetimet paraprake është mësuar se të arrestuarit merrnin para për të falsifikuar lejet për xhamat e errësuar të automjeteve.

Të arrestuarit janë:

Qamil Domi 31 vjeç, banues në Domje, për veprën penale “Ushtrimi i ndikimit të paligjshëm ndaj personave që ushtrojnë funksione publike”;

Erjon Rakipllari 34 vjeç, banues në Sallmone, Durrës, për veprën penale “Falsifikimi i dokumenteve” kryer në bashkëpunim, me detyrë administrator në një servis për veshje xhamash të errësuar; 

Erges Zaka 26 vjeç, banues në Durrës, për veprën penale “Falsifikimi i dokumenteve” kryer në bashkëpunim”, punonjës në servisin për veshjen e xhamave të errësuar;

Yllka Graceni 61 vjeçe, banuese në Tiranë, për veprën penale “Ushtrimi i ndikimit të paligjshëm ndaj personave që ushtrojnë funksione publike”, me detyrë punonjëse në një agjenci sigurimesh;

Artan Frroku 38 vjeç, banues në Xhafzotaj, Durrës, për veprën penale “Ushtrimi i ndikimit të paligjshëm ndaj personave që ushtrojnë funksione publike”, me detyrë administrator në agjencinë e targimit të automjeteve në Xhafzotaj;

Artan Murati 40 vjeç, banues në Tiranë, për veprën penale “Falsifikimi i dokumentave shëndetësore nga personi që ka për detyrë lëshimin e tyre”, me detyrë mjek pranë Qendrës Shëndetësore Kamzë;

Zef Ndoca 27 vjeç, banues në Katund i Ri, Durrës, për veprën penale “Shpërdorimi i detyrës”, me detyrë specialist në Qendrën e Kontrollit Teknik pranë DRSHTRR Durrës.

Këta persona u premtonin dhe u siguronin disa shtetasve nga Tirana dhe Durrësi certifikata përshtatshmërie për xhamat e errësuar të automjeteve, kalimin e kontrollit teknik të mjeteve dhe pajisjen me dokumente mjekësore për mospërdorimin e rripit të sigurimit, kundrejt shpërblimit monetar nga 10.000 – 30.000 lekë të rinj.