Dy persona, të akuzuar për disa grabitje në qytete të ndryshme të vendit, janë arrestuar nga policia e Kavajës gjatë një aksioni të koduar “Shtegtarët”.

Në pranga kanë rënë Besjan Dedaj 33 vjeç nga Thumana e Krujës dhe Sajmir Voka 28 vjeç nga Tirana.

Në një lokal në Golem, ata vodhën televizorë e sende të tjera dhe pas disa ditësh u kthyen sërish në të njëjtin lokal ku kërcënuan me armë administratorin për të mos kallëzuar ngjarjen.

Gjithashtu nën kërcënimin e armës, u morën celularët 4 klientëve që të mos njoftonin policinë.

Të dy këta autorë kanë vjedhur në një banesë në Kavajë, si dhe kanë tjetërsuar duke i çuar për pjesë këmbimi në Kukës, disa automjete të marra me qira.

Gjatë aksionit për kapjen e tyre, në Thumanë të Krujës iu sekuestrua një kallashnikov, municion luftarak dhe 7 milionë Lekë të vjetra.

Materialet i kaluan Prokurorisë pranë Gjykatës  së Shkallës së Parë Kavajë, për veprat penale  “Vjedhja me dhunë”, “Mbajtja pa leje dhe prodhimi i armëve, armëve shpërthyese dhe i municionit”, “Vjedhja” dhe “Kanosja për të mos kallëzuar”, kryer në bashkëpunim, për veprime të mëtejshme procedurale.