Ditën e nesërme 7 nga 21 protestuesit e arrestuar gjatë protestës kombëtare të 10 shkurtit, do të dalin para Dhomës Penale të Gjykatës së Tiranës, për shqyrtimin e masave të sigurisë.
Seanca gjyqësore pritet të nisë në orën 12:00. Shtatë të arrestuarit janë Rei Bogdani, Sindrit Peka, Joel Korbi, Kreshnik Kastrati, Zeni Guraj, Daniel Zeka dhe Oresti Halilaj.
Ata akuzohen për veprat penale “Goditja për shkak të detyrës”, “Plagosja e rëndë me dashje”, “Prishja e rendit dhe qetësisë publike”, “Shkelja e rregullave mbi lëndët plasëse dhe djegëse”, “Shkatërrimi i pronës me zjarr” dhe “Kundërshtimi i punonjësit të rendit publik”.
Në lidhje me këtë, janë vënë nën hetim në gjendje të lirë edhe sekretari organizativ i PD-së Ervin Minarolli. Kjo për veprat penale “Organizimi dhe pjesëmarrja në grumbullime dhe manifestime të paligjshme” dhe “Shtytja e të miturit në krim”.
Materialet janë referuar edhe për deputetët Belind Këlliçi, Flamur Noka, Klevis Balliu dhe Luan Baçi. Ata akuzohen për veprat penale “Kundërshtimi i punonjësit të Policisë së rendit publik” dhe “Shtytja e të miturit në krim”. Sipas policisë, nga molotovët e hedhura nga protestuesit, janë lënduar 16 efektivë. Ata kanë pësuar djegie dhe dëmtime fizike.





