Një grindje për motive të dobëta ka ndodhur pasditen e së mërkurës (4 shkurt), në Sarandë.

45-vjeçari Gëzim Preçi, lindur në Tiranë por me banim në Lezhë, pas një grindjeje të momentit, dyshohet se pa asnjë motiv, ka goditur me grushte dhe sende të forta 48-vjeçarin Gentjan Mustafa, banor i Shelegarit.

Nga persona të ndodhur prezent në ngjarje është bërë transportimi i 48-vjeçarit në urgjencën e spitalit të Sarandës.

Sipas bluzave të bardha, mësohet se goditja me sende të forta e 48-vjeçarit Gentjan Mustafa ishte e rëndë. Goditja ishte poshtë syrit dhe për rrjedhojë i ishte thyer kocka, njëherazi nga goditja pati edhe hemorragji të syrit.

Pas ndihmës së parë në spitalin e Sarandës, 48-vjeçari Gentjan Mustafa është transportuar me ambulancë drejt spitalit të Traumës në Tiranë. Pas ngjarjes kanë shkuar në vend shërbimet policore dhe bënë arrestimin e 45-vjeçarit Gëzim Preçi, për veprën penale “plagosja e rëndë me dashje”.