Policia greke arrestoi sot dy shtetas shqiptarë, pasi u ndoqën teksa drejtonin dy automjete me 211 kilogramë kanabis sativa.

Ngjarja ndodhi në vendin e quajtur Paliuri, pranë Igumenicës.

Në prangat e policisë ranë dy shqiptarë të moshës 27 dhe 30-vjeç, Malvin Tafa dhe Erald Gjergo.

Autoritetet greke thanë se kishin informacion se po transportohej sasi droge nga kufiri shqiptar në brendësi të territorit grek.

Prej informacioneve rezultoi se lënda narkotike ishte fshehur në dy automjete me targa greke, të përdorura nga trafikantët.

Ata iu thanë policëve se do ta dërgonin kanabisin në Athine, ku do t’ua dorëzonin anëtarëve të tjerë të bandës, edhe ata shtetas shqiptarë.

Dy të arrestuarit u dërguan në gjykatën e Igumenicës, e cila vendosi masën e sigurisë “burg pa afat”, si dhe vendosi sekuestron për dy automjetet dhe celularët e trafikantëve.

Në kërkim u shpallën 2 anëtarë të tjerë të organizatës.