Departamenti i Krimeve Kundër Pronës në Nëndrejtorinë e Ndjekjes së Krimeve Kundër Jetës dhe Pronës pranë Drejtorisë së Sigurimit të Athinës, ka zbuluar aktivitetin e një grupi kriminal, anëtarët e së cilës kryenin në mënyrë sistematike grabitje dhe vjedhje në dyqane dhe banesa në zona të qendrës së Athinës.

Në kuadër të këtij hetimi janë arrestuar 3 persona 30, 39 dhe 60 vjeç, mes të cilëve edhe një shtetas shqiptar. Në prangat e policisë greke ranë Pllumb Cara alias Pllumb Rusi, 39 vjeç nga Sukthi i Durrësit, Yasin Badawi 30 vjeç nga Siria dhe shtetasi grek Evstathios Borgidis 60 vjec.

Siç doli nga hetimi, të pandehurit, të paktën që nga nëntori i vitit 2023, fillimisht kanë kryer grabitje me armë në dyqane e mini markete dhe më pas vjedhje dyqanesh dhe shtëpish në zona të ndryshme të Athinës, si Sintagma, Agios Panteleimonas, Kaisariani, Pagrati, Virona dhe Zografou, madje duke synuar disa herë të njëjtat dyqane.

Për të arritur qëllimin e tyre ata kishin marrë pistoleta, duke zgjedhur të kryenin grabitje në minimarkete në pronësi të njerëzve me origjinë aziatike, në të cilat nuk hezitonin të ushtronin dhunë, duke i lidhur viktimat e tyre me kabllo dhe duke i lënë të palëvizur ndërsa iknin.

Një rol qendror në veprimtarinë e tyre kriminale kishte 39-vjeçari shqiptar Pllum Cara, i cili gjatë kryerjes së grabitjeve vepronte si autor natyral, ndërsa në vjedhjet si udhërrëfyes. Ishte ai që përzgjidhte objektivat, merrte informacionin, koordinoi dhe udhëhoqi anëtarët e tjerë.

Më hollësisht, në grabitjet, 39-vjeçari së bashku me 60-vjeçarin duke pretenduar se janë policë, kanë hyrë në minimarkete dhe me kërcënimin e pistoletave kanë bllokuar punonjësit dhe kanë marrë para. Në vjedhjet, 30-vjeçari ka thyer dyert e dyqaneve, ka hyrë brenda tyre dhe ka hequr para dhe sende të tjera, ndërsa 39-vjeçari shqiptar asistuar dhe mbikëqyrur 30-vjeçarin. Në këtë rast, përgjegjës për planifikimin e objektivave ishte 60-vjeçari grek.

Ndërprerja e aksionit të tyre u arrit të premten, datë 6 shtator 2024, kur u njoftuan punonjësit e policisë së ekipit DI.AS. të Drejtorisë së Veprimit të Drejtpërdrejtë Athinë të cilët arrestuan 39-vjeçarin shqiptar dhe 60-vjeçarin grek, ndërsa kishin kryer një vjedhje në një banesë në Kypseli. Në fakt, në tentativën e tyre për t’u arratisur, teksa zbrisnin ballkoni në ballkon, 39-vjeçari  shqiptar Pllum Cara mbeti i plagosur duke rënë nga lartësia dhe aktualisht ndodhet në spital.

Në zonën ku ndodheshin autorët, u gjetën dhe sekuestruan një sërë mjetesh vjedhjeje, si dhe një sërë bizhuteri e sende të tjera, të cilat u identifikuan si të vjedhura dhe i atribuohen pronarit të banesës.

Më pas është vijuar me ndalimin e 30-vjeçarit sirian, ku para se të arrestohej ai tentoi të shmangte kontrollin e policisë, duke refuzuar të zbatonte urdhrat e punonjësve të policisë.

Nga kontrollet e kryera në banesat e të arrestuarve janë gjetur dhe sekuestruar 2- pistoleta ajrore metalike 3- plastike, kopje pistolete, sfera metalike, fishekë gjuetie, shishe gazi me pistoletë me ajër, 2 palë pranga, 3 thika të palosshme, kuti metamfetamine kristal me një peshë bruto prej 109 gram, peshore elektronike precize, veshjet e përdorura në ngjarje dhe telefonat celularë.

Deri më tani janë zbardhur 2- grabitje dhe 19 vjedhje në dyqane dhe banesa në zona të qendrës së Athinës, ndërsa hetimet vijojnë për zbardhjen e plotë të veprimtarisë kriminale të anëtarëve të grupit kriminal.

Shtetasi shqiptar Pllum Cara rezulton me precedentë penalë në Greqi për vjedhje, grabitje, shkelje të ligjit mbi drogat dhe shkelje të ligjit mbi emigrantët.