Një 62-vjeçar ka përfunduar në prangat e policisë pasi ka vrarë me armë pronarin e një lokali si dhe ka plagosur djalin e viktimës.
Mësohet se ngjarja e rëndë ka ndodhur në fshatin Fier i Ri, Lushnjë si pasojë e një konflikti të çastit.
Viktimë ka mbetur shtetasi Rako Qorri, i plagosur 31-vjeçari Kejdi Qorri, ndërsa autori i ngjarjes është identifikuar shtetasi Sofokli Shani.
NJOFTIMI I POLICISË
Kapet nga Policia disa minuta pas kryerjes së krimit autori i vrasjes së 62-vjeçarit dhe plagosjes së djalit të tij në fshatin Fier i Ri, Lushnjë.
Në datë 02.06.2021, rreth orës 23:47, në fshatin Fier i Ri, Lushnjë, shtetasi S.Sh, si pasojë e një konflikti të çastit në lokalin në pronësi të shtetasit R. Q., ka vrarë me armë zjarri shtetasin R. Q., 62 vjeç dhe ka plagosur djalin e tij, shtetasin K. Q., 31 vjeç, i cili ndodhet në spitalin e Lushnjes nën kujdesin e mjekëve.
Menjëherë shërbimet e Komisariatit të Policisë Lushnjë kanë shkuar në vendngjarje dhe falë reagimit në kohë dhe punës së mirëorganizuar, bënë të mundur kapjen e autorit të dyshuar të ngjarjes, shtetasin S. Sh., 57 vjeç, banues në fshatin Krutje e Sipërme.
Gjithashtu Policia ka sekuestruar në cilësinë e provës materiale armën e zjarrit automatik me të cilën dyshohet se autori kreu krimin.
Grupi hetimor nën drejtimin e Prokurorisë ndodhet në vendngjarje dhe po punon për zbardhjen e plotë të rrethanave të ngjarjes.





