Një krim i rëndë ka ndodhur në orët e vona në Shkodër, në Han të Hotit, ku një 28-vjeçar është vrarë me thikë nga shoku i tij. Mësohet se viktimë ka mbetur Kolë Fermosi, 28 vjeç, ndërsa autori i vrasjes është Kristjan Shkambi rreth 27 vjeç.
Nga të dhënat paraprake, raportohet se mes të rinjve ka pasur një konflikt të çastit brenda në një lokal, nga ku më pas ata kanë dalë jashtë ambienteve dhe janë konfliktuar fizikisht me njëri-tjetrin. Kristjan Shkambi ka goditur me thikë në zemër Fermosin, duke e lënë të vdekur në vend.
Policia ka mbërritur në vendin e ngjarjes dhe ka bërë të mundur edhe arrestimin e autorit në kohë rekord.
Njoftimi i Policisë për ngjarjen:
Me datë 02.04.2018 rreth orës 00.30 në fshatin Hot, Shkodër, pas një konflikti për motive të dobëta, është goditur me mjete prerëse (thikë) shetasi K. F. 28 vjeç, i cili si pasojë e plagëve të marra ka gjetur vdekjen në Spitalin Rajonal Shkodër.
Shërbimet e Policisë kanë shkuar në vendngjarje dhe falë veprimeve të shpejta hetimore kanë identifikuar dhe arrestuar autorin e kësaj ngjarje, shtetasin:
Kristjan Shkambi, 27 vjeç, banues në fshatin Hot i Ri
Grupi hetimor po vijon punën për sqarimin e plotë të rrethanave të kësaj ngjarje.





