Autoritetet angleze kanë identifikuar disa shqiptarë me të kaluar kriminale dhe që kërkohen nga drejtësia e vendit tonë. Ata jetojnë në Britani të Madhe dhe përgjatë këtyre viteve qëndronin me identitet të rremë.
“Thë Sun” shkruan se shqiptarët e kërkuar nga drejtësia emigruan në Britani me identitet fals, duke pretenduar se ishin refugjatë nga Kosova të larguar për shkak të luftës me Serbinë.
Sipas të përditshmes britanike, janë më shumë se 300 shqiptarë në Angli që kanë probleme me drejtësinë, por 6 prej tyre të dënuar për vrasje janë identifikuar dhe u është hequr shtetësia britanike.
Në artikullin e saj, “The Sun” përmend zyrtarë të Ministrisë së Brendshme britanike që thonë se autoritetet e kanë të vështirë të identifikojnë shqiptarët e Shqipërisë dhe të Kosovës. Një pjesë e madhe e tyre janë me identitet fals dhe kanë përfituar shtetësinë britanike.
“Problemi kryesor tani është se ata kanë pasaporta britanike me emra të ndryshuar, gjë që e bën të vështirë identifikimin nga policia. Njëkohësisht shohim se shumë shqiptarë që marrin azil po përdorin pasaportën britanike për të udhëtuar jashtë vendit për të bërë marrëveshje me kriminelë të tjerë në Evropë dhe për të kontrabanduar drogë dhe emigrantë në Britani të Madhe. Një pasaportë britanike për ta është një mjet i artë që përdoret për qëllime kriminale”, tha një avokat anglez që preferoi të mbetej anonim.
Por kush janë shqiptarët me të shkuarë kriminale që janë identifikuar dhe disa prej tyre janë ekstraduar në vendin tonë? “The Sun” ka publikuar emrat dhe fotot e tyre.

1-Ali Qazimaj 43 vjeç akuzohet për vrasjen e një çifti të moshuarish britanik vitin e kaluar, të cilëve u mori paratë për të paguar borxhet. Ai ka jetuar në Angli për afërsisht 20 vite.

2-Samir Bashsa, emri i vërtetë Saliman Barçi i dënuar në Shqipëri me 25 vite burg për një vrasje në vitin 1997.

3-Afrim Pulaj, emri i vërtetë Afrim Sinani i dënuar me 20 vite burg për një vrasje në vitin 1996 në Shqipëri.

4-Abdul Mekra, emri i vërtetë Avni Metra i dënuar me 25 vite burg në Shqipëri për vrasje në vitin 1998.

5-Sami Qerkini, emri i vërtetë Bardhi Muça, mbërriti në Britani të Madhe në vitin 1995. Përdori pasaportën britanike për të udhëtuar në Itali, Belgjikë, Holandë dhe Spanjë ku krijoi një rrjet droge.

6-Gjergj Kola 48 vjeç, emri i vërtetë Gjergj Çupi, i cili ka vrarë Mirash Ndrecën dhe Donika Kadelin në vitin 1997 në Rrëshen, por u arratis në Itali. Ai është dënuar me 25 vite burg.

7-Bekim Ademi 35 vjeç, emri i vërtetë Elidon Habilaj, i cili mbërriti në Britani të Madhe në vitin 1998. I dënuar për mashtrim në Britani të Madhe.

8-Dinjan Hysaj 40 vjeç, ka kërkuar azil në Angli në vitin 1998 duke përdorur emrin e tij të vërtetë, por datë të rreme të ditës së lindjes.
9-Klemend Zeqaj, emri i vërtetë Ilirian Zeqaj, i cili ka vrarë dy vetë në vitin 1999 në fshatin Cakran të Shqipërisë, i arratisur 3 muaj më pas në Britani, para se të dënohej me 23 vite burgim. Ai gjithashtu kishte marrë nënshtetësinë britanike me emrin e rremë.





