Gjykata e Posaçme ka shpallur të pafajshëm ish-efektivin e policisë Adriatik Logli, i akuzuar në kuadër të një operacioni të gjerë kundër një grupi të strukturuar kriminal të përfshirë në kultivimin dhe trafikimin e lëndëve narkotike. Operacioni në fjalë çoi në arrestimin e mbi 40 personave.

Në të njëjtin proces gjyqësor, Xhuliano Aliu u dënua me 5 vite burgim, ndërsa Kristi Dautaj me 8 vite heqje lirie. Po këtë të premte, në një seancë të ndarë, u dha vendimi edhe për tre të pandehur të tjerë: Bujar Brahak u dënua me 10 vite burg, ndërsa Hertjan Pjetërgjokaj dhe Elton Ukaj me nga 8 vite secili. Dy të fundit përfituan ulje të dënimit me një të tretën për shkak të gjykimit të shkurtuar.

Mes të akuzuarve ishin edhe Fejzo Meçaj, punonjës policie në Komisariatin e Tepelenës, si dhe Adriatik Logli, efektiv në Drejtorinë Vendore të Policisë Gjirokastër, të dyshuar për shpërdorim detyre. Fillimisht, ndaj tyre ishte caktuar masa e sigurisë “arrest me burg”.

Sipas hetimeve të Struktura e Posaçme Kundër Korrupsionit dhe Krimit të Organizuar (SPAK), janë evidentuar 13 episode kriminale që përfshijnë trafikim, prodhim dhe shitje narkotikësh, si dhe kultivim të bimëve narkotike në Vlorë, Tepelenë, Durrës, Tiranë dhe Lezhë. Aktiviteti dyshohet se është zhvilluar nga pesë grupe të ndryshme kriminale gjatë periudhës mars–nëntor 2020.