Një agjent i infiltruar në grupin e trafikantëve të minave me shpërthim në distancë ka çuar në arrestimin në flagrancë të dy personave në momentin që do tentonin të shisnin minat me telekomandë.

Agron Gurakuqi 46 vjeç dhe Bledian Greca 35 vjeç u vunë në pranga në Mëzes të Tiranës, në operacionin e koduar “Distanca. Aty, policia i sekuestroi 4 mina me telekomandë, të cilat ndodheshin në makinën që drejtonte Agron Gurakuqi dhe që dyshohet se shitja e tyre do të kryhej në Durrës. Burime nga grupi hetimor thonë se të arrestuarit nuk i kanë bërë publik emrat e personave që do t’u shisnin minat.

Të prangosurit janë me precedentë të mëparshëm penalë për ndërtim pa leje dhe armëmbajtje pa leje. Gurakuqi dhe Greca punonin sëbashku si për gjetjen e materialeve që shërbejnë për prodhimin e minave ashtu dhe për montimin e tyre të cilat i shisnin deri në 3 mijë euro copa. Kjo është ngarkesa e pestë që kapet në Durrës në harkun kohor të 1 viti. /shqiptarja.com