Zbardhen identitetet e dy punonjësve të OSHEE në Shijak, të cilët u arrestuan nga policia pasi nuk konstatuan vjedhjen e energjisë elektrike në një shtëpi që ishte përshtatur për kultivimin e bimëve narkotike. Bëhet fjalë për Ervin Stafa, 39 vjeç dhe Xhavit Istrefi, 25 vjeç, banues në Shetel dhe Romanat.
Ata kryenin detyrën e faturistit dhe elektiçistit pranë OSHEE-së.
Ndërkohë, policia bën të ditur se janë shpallur në kërkim shtetasit Valter Greca, 32 vjeç, Andi Dashi (Greca) 27 vjeç dhe Idajet Greca 40 vjeç, të tre banues në Hardhishtë, Shijak.
Më herët policia e Durrësit njoftoi se “shpallja në kërkim e këtyre shtetasve u bë pasi gjatë kontrollit të ushtruar nga shërbimet e Policisë në banesën e shtetasit A.D.(G)., në fshatin Hardhishtë, dyshohet se këta shtetas në bashkëpunim me njëri-tjetrin, kanë përshtatur banesën me aparatura që shërbejnë për kultivimin e bimëve narkotike, dhe kanë ndërhyrë në matësin e energjisë elektrike. Në cilësinë e provës materiale u sekuestruan bimë të lëndës narkotike canabis sativa dhe paisjeve që shërbenin për kultivimin e tyre”.





