Zbardhet identiteti i tre personave të arrestuar sot nga policia e Durrësit, pasi u kapën me kokainë. Këtë të fundit, e kishin fshehur në kroskotin e makinës.

Operacioni policor i koduar “Tapiza” ka prangosur babë e bir, Latif dhe Leonard Lozi, i dënuar më parë për veprën penale “Shkelja e rregullave të qarkullimit rrugor” si dhe shtetasin Akil Bunaj, i dënuar më parë për veprën penale “Prodhimi dhe shitja e narkotikëve”.

Burimet zyrtare njoftuan më herët se shërbimet e Policisë, në aksin rrugor Tapizë – Fushë Krujë, në bazë të informacioneve të marra për këta shtetas, të cilët po transportonin një sasi të konsiderueshme kokaine, kanë ndaluar mjetin tip “Volksvagen”, që drejtohej nga shtetasi Leonard Lozi, 28 vjeç.

Gjatë kontrollit në mjet, në kroskot, u gjetën 1 kg e 30 gramë lëndë narkotike kokainë, e cila u sekuestrua në cilësinë e provës materiale.

Nën drejtimin e Prokurorisë së Rrethit Gjyqësor Durrës, vijon puna për identifikimin dhe kapjen e personave të tjerë të përfshirë në këtë veprimtari kriminale.

Materialet i kaluan Prokurorisë së Rrethit Gjyqësor Durrës, për veprime të mëtejshme.