Orët e fundit janë mjaft të ethshme në degën e PD-së në Durrës, pasi anëtarësia e saj po pret me padurim emrat e kandidatëve në listën e deputetëve të qarkut.
Ndërsa deri një javë më parë, shumë prej demokratëve ishin mjaft konfuzë nëse partia e tyre do futej apo jo në procesin zgjedhor, tashmë të gjithë janë kuriozë për emrat që do të përzgjedhë kryetari i partisë, Lulzim Basha.
4 vite më parë, Partia Demokratike arriti të merrte në bazë qarku 6 deputetë dhe synimet e demokratëve janë pak a shumë të njëjtat edhe pas 4 viteve.
Kështu që presupozohet që 6 emrat e parë në listë, pritet ta kenë të sigurt mandatin e deputetit.
Ndërsa 48 orët e fundit pritet të jenë mjaft deçizive për përcaktimin e listës së kandidatëve për deputetë të selisë blu, emrat e parë kanë nisur të qarkullojnë nëpër korridoret e PD-së së Durrësit.
Mendohet se jashtë listës së sigurt do të mbeten dy ish-kryetarët e PD Durrës, Igli Cara (deputet në këtë legjislaturë) dhe Osman Stafa (në vend të të cilit është komanduar Oerd Bylykbashi). Jashtë listës pritet të mbetet dhe urbanisti Ardian Muka, një demokrat me kontribute në Durrës dhe ish-kandidat për drejtimin e PD-së përballë Osman Stafës.
Ashtu si edhe në zgjedhjet lokale, kur Basha caktoi si kandidate për kreun e bashkisë, Grida Dumën, pritet që zonja Duma të jetë një nga emrat e parë në listën e Durrësit.
Në listën e sigurt pritet të përfshihet edhe deputeti Eduard Selimi, aktualisht deputet i Durrësit në këtë legjislaturë.
Një vend në listën e sigurt të PD-së mund të zërë dhe aleati i Bashës, Agron Duka. Pas premtimit të Bashës se 5 krerët e partive aleate që e mbështetën gjatë qëndresës 90 ditore në çadër do të përfshihen në listat e PD-së, pritet që Duka të jetë një nga emrat në listë.
Florian Mima është i deleguari nga qendra që do të merret drejtpërdrejt me seleksionimin dhe shkurtimin e listave të propozuara nga baza e PD-së. Meqë është i deleguari për zgjedhjet mund të jetë edhe ai pjesë e listës së sigurt. ose mund të zëvendësohet nga ndonjë emër tjetër i propozuar nga Basha, nëse selia blu nuk do të përfshijë të deleguarit e saj në qarqe si pjesë e listës së qarkut, ku do të udhëheqin fushatën.
Fatin e PS-së së Durrësit që pritet të përfaqësohet në parlament vetëm nga Roland Xhelilaj (të tjerët në listën e sigurt janë të katapultuar nga Rama ose janë përfaqësues të Shijakut dhe Krujës) mund ta ketë edhe PD.
Sipas gjasave, në Durrës, anëtarët dhe simpatizantët e partisë më të madhe opozitare pritet të përfaqësohen nga njerëz, që pak lidhje kanë dhe pak kontribute kanë dhënë për Durrësin.





