Dy të rinj nga Shijaku kanë rënë në prangat e Policisë së Vlorës, pasi bënin ‘të fortët’ duke lëvizur me armë zjarri pa leje nëpër qytet. Policia ka arrestuar shtetasit Gerald Shera, 27 vjeç, dhe Metin Vogli, 24 vjeç, të dy banues në Shijak.
Sipas uniformave blu, gjatë një kontrolli të ushtruar ndaj shtetasve apo mjeteve të ndryshme prej Strukturave të Seksionit për Hetimin e Krimeve të Rënda në DVP Vlorë, dy shijakasve u janë gjetur në mjet dy armë zjarri tip pistoletë, një e markës ''Glock'' me 27 fishekë si edhe një tjetër armë zjarri ''TT'' me 23 fishekë me krehërat përkatës të tyre.
Janë sekuestruar në cilësinë e provës materiale armët e zjarrit tip Pistoletë, mjeti tip ''Benz'', si edhe 5 aparate celular. Materialet hetimore iu referuan Prokurorisë së Rrethit Gjyqësor Vlorë në ngarkim të shtetasve të lartëpërmendur për veprime të mëtejshme.





