Në sallën e teatrit “Aleksandër Moisiu” të qytetit të Durrësit është zhvilluar si çdo vit tjetër eventi “10 gratë më të suksesshme të vitit” në të cilin janë nderuar gratë më të spikatura në fusha të ndryshme të ekonomisë, shkencës, artit dhe kulturës.
Veprimtaria u organizua për të 23 –in vit rradhazi dhe në të u vlerësuan femra të suksesshme në profesionin e tyre dhe që me kontributin e dhënë ndikojnë në rritjen dhe fuqizimin e rolit të grave si forcë potenciale në shoqërinë tonë.
Organizatorja Myzejen Konduri, u shpreh se ky event organizohet pas përballimit të fatkeqësisë së madhe natyrore që goditi Durrësin, siç ishte tërmeti i 26 nëntorit 2019.
Tatjana Bajraktari, me origjinë nga Ukraina, është vlerësuar si një ndër 10 gratë e suksesshme në qytetin bregdetar. Ajo është biznesmene dhe ka kontribuar për sistemimin e njerëzve të dëmtuar nga tërmeti i 26 nëntorit 2019. Bajraktari vuri ne dipozicion hotelin e saj për të ndihmuar njerëzit në fatkeqësi.
Ndryshe nga vitet e tjera, këtë vit u nderua edhe një grua që u kthye në një personalitet mjaft të rëndësishëm në periudhën e pastërmetit. Profesoresha e Institutit të Ndërtimit, Luljeta Bozo, është nderuar me titullin “Simbol i Gruas”. Bozo vlerësoi shumë qytetin e Durrësit për vlerat arkeologjike dhe historike si dhe rëndësinë ekonomike që ka në zhvillimin e vendit. Nga ana tjetër, Bozdo shprehu keqardhjen për betonizimin e qytetit.
Gra të tjera të suksesshme të qytetit bregdetar që u nderuan në event ishin deputetja Edlira Hyseni, regjisorja Driada Dervishi, lektorja e UAMD-së Brunilda Kullollu, zv/presidentja e U.S.Sh. Durrës Genta Belegu, drejtoresha rajonale e “Tirana Bank” Laureta Domi, financierja Elizabeta Baxheri, shefja e shitjeve në Alb Tours Durrës Luljeta Mehmeti, drejtoresha e shkollës “Eftali Koçi” Mimoza Guleksi dhe drejtoresha e programimit dhe projekteve Alketa Hila.
K.H.





