Gjykata e Posaçme e Shkallës së Parë për Korrupsionin dhe Krimin e Organizuar ka shpallur fajtorë tre të pandehurit për korrupsion aktiv dhe pasiv në zgjedhje, në Qarkun Lezhë.
Prokuroria e Posaçme kundër Korrupsionit dhe Krimit të Organizuar (SPAK) kishte paraqitur kërkesën për gjykimin e çështjes në ngarkim të shtetasve Gersi Kaçorri, Besnik Uka dhe Artur Jahja, ndërsa gjykimi u zhvillua me rregullat e gjykimit të shkurtuar.
Sipas vendimit të gjykatës, Gersi Kaçorri u shpall fajtor për veprën penale “Korrupsion aktiv në zgjedhje” dhe u dënua fillimisht me 1 vit burgim, dënim i cili, për shkak të gjykimit të shkurtuar, u reduktua në 8 muaj. Gjykata vendosi pezullimin e ekzekutimit të dënimit dhe vënien e tij në provë për një periudhë 1 vit e 6 muaj.
Besnik Uka u shpall fajtor për veprën penale “Korrupsion pasiv në zgjedhje”, kryer në bashkëpunim. Ai u dënua me 1 vit burgim, i reduktuar në 8 muaj për shkak të gjykimit të shkurtuar, ndërsa edhe për të u vendos pezullimi i dënimit dhe vënia në provë për 1 vit e 6 muaj.
Po ashtu, fajtor u shpall edhe Artur Jahja, i cili u dënua për “Korrupsion pasiv në zgjedhje”, kryer në bashkëpunim, me 1 vit burgim, dënim i reduktuar në 8 muaj, me pezullim të ekzekutimit dhe vënie në provë për 1 vit e 6 muaj.
Gjykata urdhëroi që gjatë periudhës së provës, të pandehurit të mbajnë kontakte me shërbimin e provës, të mos kryejnë vepra të tjera penale dhe të mos shoqërohen me persona të dënuar për vepra penale.
Në vendim u urdhërua gjithashtu konfiskimi i tre aparateve telefonike dhe kartave SIM, të sekuestruara gjatë hetimit, si prova materiale në këtë çështje.
Sipas SPAK, gjatë fushatës zgjedhore, të pandehurit, në bashkëpunim me njëri-tjetrin, kanë premtuar, ofruar dhe dhënë shuma monetare zgjedhësve të Bashkisë Kurbin, në këmbim të votimit në mbështetje të Partisë Socialiste.
Hetimet kanë evidentuar se ata kanë qenë aktivë në fushatën zgjedhore në mbështetje të këtij subjekti politik, duke shpërndarë mjete monetare tek zgjedhësit me qëllim ndikimin në vullnetin e tyre të votës.
Njoftimi i SPAK
SPAK dërgon për gjykim tre të pandehur për korrupsion aktiv dhe pasiv në zgjedhje në Qarkun Lezhë
Prokuroria e Posaçme kundër Korrupsionit dhe Krimit të Organizuar ka përfunduar hetimet dhe më datë 7.11.2025, ka dërguar për gjykim në Gjykatën e Posaçme, procedimin penal nr. 55 të vitit 2025, për korrupsion në zgjedhjet e zhvilluara në Qarkun Lezhë.
Të pandehurit e dërguar për gjykim janë:
Gersi Kaçorri, i akuzuar për kryerjen e veprës penale “Korrupsion aktiv në zgjedhje”, kryer në bashkëpunim, e parashikuar nga nenet 328 dhe 25 të Kodit Penal;
Besnik Uka, i akuzuar për kryerjen e veprës penale “Korrupsion pasiv në zgjedhje”, kryer në bashkëpunim, e parashikuar nga nenet 328/b dhe 25 të Kodit Penal;
Artur Jahja, i akuzuar për kryerjen e veprës penale, “Korrupsion pasiv në zgjedhje”, kryer në bashkëpunim, e parashikuar nga nenet 328/b dhe 25 të Kodit Penal.
Rrethanat e çështjes
Procedimi penal është regjistruar mbi bazën e materialit të referuar nga hetuesit e Byrosë Kombëtare të Hetimit (BKH), në ngarkim të shtetasve të mësipërm, të dyshuar për veprën penale, “Korrupsion aktiv në zgjedhje” dhe “Korrupsion pasiv në zgjedhje”, të kryera në bashkëpunim, gjatë fushatës elektorale për zgjedhjet parlamentare të datës 11 maj 2025.
Aktet e administruara gjatë hetimit proaktiv dhe ndjekjes me metoda speciale të hetimit (përgjime të komunikimeve telefonike, vëzhgime dhe veprime të tjera hetimore treguan se të pandehurit; Gersi Kaçorri, Besnik Uka dhe Artur Jahja janë përfshirë në veprimtari të kundërligjshme në Qarkun e Lezhës, gjatë zgjedhjeve për Kuvendin e Shqipërisë.
Gjatë fushatës zgjedhore, të pandehurit, në bashkëpunim me njëri-tjetrin, premtuan, ofruan dhe dhanë shuma monetare zgjedhësve të Bashkisë Kurbin, në këmbim të votimit në një mënyrë të caktuar, në mbështetje të subjektit politik, Partia Socialiste.
Hetimi evidentoi se të pandehurit kanë qenë aktivë në fushatën zgjedhore në mbështetje të këtij subjekti politik, duke ofruar dhe shpërndarë mjete monetare tek zgjedhësit për të ndikuar në mënyrën e votimit të tyre.
NJOFTIM PËR MEDIAT GJKKO
NJOFTIM PËR MEDIAT
1. Prokuroria e Posaçme kundër Korrupsionit dhe Krimit të Organizuar ka paraqitur pranë Gjykatës kërkesën me objekt: “Gjykimin e çështjes penale që i përket procedimit penal nr. 55 të vitit 2025, në ngarkim të të pandehurve Gersi Kaçorri, Besnik Uka dhe Artur Jahja”.
2. Gjykimi i kësaj ҫështje u zhvillua me rregullat e gjykimit të shkurtuar. Në përfundim të gjykimit, Gjykata e Posaçme e Shkallës së Parë për Korrupsionin dhe Krimin e Organizuar me trup gjykues të përbërë nga gjyqtarët Flora Hajredinaj, Etleva Deda dhe Rudina Palloj, me vendimin nr. 8, datë 05.02.2026 vendosi:
1. Deklarimin fajtor të të pandehurit Gersi Kaçorri, për veprën penale “Korrupsioni aktiv në zgjedhje”, parashikuar nga neni 328 të Kodit Penal, dhe dënimin e tij me 1 (një) vit burgim.
-Në bazë të nenit 406 pika 1 të Kodit të Procedurës Penale, të pandehurit Gersi Kaçorri, i ulet 1/3 e dënimit për shkak të aplikimit të gjykimit të shkurtuar dhe, përfundimisht dënohet me 8 (tetë) muaj burgim.
-Në bazë të nenit 59 të Kodit Penal, urdhërohet pezullimi i ekzekutimit të vendimit me burgim dhe vënia në provë e të pandehurit Gersi Kaçorri, për një afat prove prej 1 (një) vit e 6 (gjashtë) muaj gjatë së cilës i pandehuri duhet të mbajë kontakte me shërbimin e provës dhe të mos kryejë vepër tjetër penale.
-Bazuar në nenin 60 paragrafi i parë pika 9 të Kodit Penal, urdhërohet i pandehuri që brenda periudhës së provës të mos shoqërohet me persona të dënuar për vepra penale. -Afati i provës fillon pas marrjes formë të prerë të vendimit, nga momenti i kontaktit të parë të të pandehurit me shërbimin e provës.
2. Deklarimin fajtor të të pandehurit Besnik Uka, për veprën penale “Korrupsioni pasiv në zgjedhje”, kryer në bashkëpunim, parashikuar nga nenet 328/b dhe 25 të Kodit Penal dhe dënimin e tij me 1(një) vit burgim.
-Në bazë të nenit 406 pika 1 të Kodit të Procedurës Penale, të pandehurit Besnik Uka, i ulet 1/3 e dënimit, për shkak të aplikimit të gjykimit të shkurtuar dhe, përfundimisht dënohet me 8 (tetë) muaj burgim.
-Në bazë të nenit 59 të Kodit Penal, urdhërohet pezullimi i ekzekutimit të vendimit me burgim dhe vënia në provë e të pandehurit Besnik Uka, për një afat prove prej 1(një) vit e 6 (gjashtë) muaj gjatë së cilës i pandehuri duhet të mbajë kontakte me shërbimin e provës dhe të mos kryejë vepër tjetër penale.
-Bazuar në nenin 60 paragrafi i parë pika 9 të Kodit Penal, urdhërohet i pandehuri që brenda periudhës së provës të mos shoqërohet me persona të dënuar për vepra penale. -Afati i provës fillon pas marrjes formë të prerë të vendimit, nga momenti i kontaktit të parë të të pandehurit me shërbimin e provës.
3. Deklarimin fajtor të të pandehurit Artur Jahja, për veprën penale “Korrupsioni pasiv në zgjedhje”, kryer në bashkëpunim, parashikuar nga nenet 328/b dhe 25 të Kodit Penal, dhe dënimin e tij me 1(një) vit burgim.
-Në bazë të nenit 406 pika 1 të Kodit të Procedurës Penale, të pandehurit Artur Jahja, i ulet 1/3 e dënimit, për shkak të aplikimit të gjykimit të shkurtuar dhe përfundimisht dënohet me 8 (tetë) muaj burgim.
-Në bazë të nenit 59 të Kodit Penal, urdhërohet pezullimi i ekzekutimit të vendimit me burgim dhe vënia në provë e të pandehurit Artur Jahja, për një afat prove prej 1(një) vit e 6 (gjashtë) muaj gjatë së cilës i pandehuri duhet të mbajë kontakte me shërbimin e provës dhe të mos kryejë vepër tjetër penale.
-Bazuar në nenin 60 paragrafi i parë pika 9 të Kodit Penal, urdhërohet i pandehuri që brenda periudhës së provës të mos shoqërohet me persona të dënuar për vepra penale. -Afati i provës fillon pas marrjes formë të prerë të vendimit, nga momenti i kontaktit të parë të të pandehurit me shërbimin e provës.
4. Në lidhje me provat materiale të bashkuara me fashikullin e gjykimit sipas procesverbalit datë 06.11.2025, gjykata disponon si më poshtë: Aparat telefonik i markës “Samsung Galaxy A12”, me numër imei 1: **** dhe imei 2: **** dhe karta sim e kompanisë ONE me numër serial ****, të sekuestruar të pandehurit Besnik Uka; aparat telefonik i markës “iPhone XR”, me numër imei 1: **** dhe imei 2: **** dhe karta sim e kompanisë ONE me numër serial ****, sekuestruar të pandehurit Gersi Kaçorri, dhe aparat telefonik i markës “Samsung Galaxy A04S”, me numër imei 1: **** dhe imei 2: **** dhe karta sim e kompanisë ONE me numër serial ****, sekuestruar të pandehurit Artur Jahja, të konfiskohen.
5. Shpenzimet proceduriale, të kryera gjatë hetimit paraprak si dhe ato të gjykimit, sipas procesverbalit të shpenzimeve bashkëngjitur këtij vendimi, u ngarkohen të pandehurve, në mënyrë solidare.
6. Kundër këtij vendimi lejohet ankim, brenda 15 (pesëmbedhjetë) ditëve nga e nesërmja e njoftimit, në Gjykatën e Posaçme të Apelit për Korrupsionin dhe Krimin e Organizuar.
Tiranë, më datë 05.02.2026
Gjykata e Posaçme e Shkallës së Parë për Korrupsionin dhe Krimin e Organizuar





