Një ngjarje e rëndë është parandaluar në qytetin e Sarandës, ku 4 persona kishin bërë gati planin për rrëmbimin e një 49-vjeçari.

Sipas policisë, ditën e djeshme në rrugën “Skënderbeu”, në lagjen nr.1,  pas administrimit të informacionit, kanë ndërhyrë menjëherë duke ndaluar automjetin tip “BMW”, me drejtues shtetasin Angelos Tsimperis dhe pasagjerë shtetasit Juljan Brinja, 28 vjeç nga Borshi, dhe Sandri Brinja (vëllezër) dhe Gjergji Prenga.

Gjatë kontrollit në automjet, në vendin e pasagjerit ku qëndronte shtetasi Juljan Brinja, shërbimet e Policisë gjetën 1 armë zjarri pistoletë dhe lidhëse plastike, të cilat u sekuestruan në cilësinë e provës materiale.

Dyshohet se shkak është bërë një çështje borxhi.

Në vijim të veprimeve procedurale u arrestuan në flagrancë shtetasit Juljan Brinja, 28 vjeç, Sandri Brinja, 27 vjeç, Angelos Tsimperis, 20 vjeç dhe Gjergji Prenga, 29 vjeç, për veprat penale “Heqja e paligjshme e lirisë”, mbetur në tentativë, kryer në bashkëpunim dhe “Prodhimi dhe mbajtja pa leje e armëve, armëve shpërthyese dhe municionit luftarak”.

Këta shtetas dyshohet se në kërcënimin e armës do të rrëmbenin një shtetas 49 vjeç, me iniciale K.D banues në Sarandë, për motive të dobëta.