Specialistët e Seksionit për Hetimin e Trafiqeve të Paligjshme në DVP Tiranë, në bazë të informacioneve të siguruara në rrugë operative se disa persona, në bashkëpunim me njëri-tjetrin, transportonin emigrantë të paligjshëm, nga Devolli drejt Tiranës dhe më pas në drejtim të Kukësit, me qëllim kalimin në vendet fqinje, me destinacion final vendet e BE-së, organizuan dhe finalizuan operacionin “Pararoja”, për goditjen e kësaj veprimtarie kriminale.
Në kuadër të këtij operacioni u bë arrestimi në flagrancë i Isuf Durmishllari, 25 vjeç, i dënuar më parë për veprën penale “Ndihma për kalim të paligjshëm të kufirit”; Andrea Veisi, 22 vjeç dhe Joana Sageri, 20 vjeçe.
Këta shtetas janë kapur nga shërbimet e Policisë, në hyrje të Tiranës, duke transportuar 3 emigrantë, të cilëve iu kishin premtuar kalimin drejt vendeve të BE-së, kundrejt shpërblimit monetar.
Andrea Veisi bënte transportin e emigrantëve, me një automjet “Mercedes Benz”, ndërsa Isuf Durmishllari dhe Joana Sageri qarkullonin me një mjet tjetër përpara Andrea Veisit, për ta informuar këtë të fundit nëse kishte shërbime policore.
Në vijim të veprimeve u proceduan penalisht dhe 3 shtetasit e huaj, për veprën penale “Kalim i paligjshëm i kufirit shtetëror”. Po punohet për dokumentimin e plotë të kësaj veprimtarie kriminale dhe identifikimin e personave të tjerë të implikuar në të.





