Një 31-vjeçar ka rënë në prangat e Policisë së Tiranës, pasi akuzohet për veprat penale “Mbajtja pa leje dhe prodhimi i armëve, armëve shpërthyese dhe i municionit”,   “Prodhimi dhe shitja e narkotikëve” dhe “Marrëdhënia seksuale me dhunë me të rritura”.

Bëhet fjalë për shtetasin Armando Mirashi, i cili dyshohet se ka kryer marrëdhënie seksuale me dhunë me një 29-vjeçare, në automjetin e tij, dhe më pas ka shkuar në lokalin e shtetasit Ersel Kumrija, ku dyshohet se konsumohej dhe shitej lëndë narkotike.

Për pasojë policia ka vënë në pranga Ersel Kumrijën. Ai akuzohet për veprat penale “Mbajtja pa leje dhe prodhimi i armëve, armëve shpërthyese dhe i municionit”,    “Prodhimi dhe shitja e narkotikëve”, “Përshtatja e ambienteve për përdorim të lëndëve narkotike” dhe “Mbajtja pa të drejtë e uniformës”.

Gjithashtu në pranga kanë rënë Endrit Kumrija., 23 vjeç, Anesti Prroi P., 25 vjeç, Siciljan Cakraj., 28 vjeç, Klevi Reka, 24 vjeç dhe Anxhelo Hodja., 26 vjeç, të cilët akuzohen për veprën penale “Moskallëzimi i krimit”.

Njoftimi i Policisë

Tiranë/Finalizohet operacioni policor i koduar “Several”, goditen 2 raste të armëmbajtjes pa leje dhe 1 rast i përshtatjes së lokaleve për përdorimin/shitjen e lëndëve narkotike.

-Posedonte 1 armë zjarri kallashnikov dhe kokainë në automjet, vihet në pranga 31-vjeçari. Ky shtetas dyshohet se ka kryer marrëdhënie seksuale me dhunë me një 29-vjeçare.

-Posedonte 1 armë zjarri, 1 jelek antiplumb dhe 2 armë të ftohta, në lokalin e tij, vihet në pranga 24-vjeçari.

Vihen në pranga dhe 5 shtetas të tjerë, klientë në lokal, për moskallëzim krimi

Sekuestrohen 2 armët e zjarrit, municion luftarak, 1 jelek antiplumb, lëndë narkotike, 2 automjete, 7 celularë dhe 2 armë të ftohta.

Shërbimet e Komisariatit Nr. 3, në bashkëpunim me shërbimet e Forcës së Posaçme “Shqiponja”, finalizuan operacionin policor të koduar “Several”, si rezultat i të cilit u arrestuan shtetasit:

-A. M., 31 vjeç, për veprat penale “Mbajtja pa leje dhe prodhimi i armëve, armëve shpërthyese dhe i municionit”,   “Prodhimi dhe shitja e narkotikëve” dhe “Marrëdhënia seksuale me dhunë me të rritura”;

-E. K., 24 vjeç, për veprat penale “Mbajtja pa leje dhe prodhimi i armëve, armëve shpërthyese dhe i municionit”,    “Prodhimi dhe shitja e narkotikëve”, “Përshtatja e ambienteve për përdorim të lëndëve narkotike” dhe “Mbajtja pa të drejtë e uniformës”;

-E. K., 23 vjeç, A. P., 25 vjeç, S. C., 28 vjeç, K. R., 24 vjeç dhe A. H., 26 vjeç, për veprën penale “Moskallëzimi i krimit”.

Shtetasi A. M. dyshohet se ka kryer marrëdhënie seksuale me dhunë me një 29-vjeçare, në automjetin e tij, dhe më pas ka shkuar në lokalin e shtetasit E. K., ku dyshohet se konsumohej dhe shitej lëndë narkotike.

Gjatë kontrollit në lokal u gjetën të fshehura 1 armë zjarri pistoletë, 1 jelek antiplumb dhe 2 shkopa bejsbolli, ndërsa gjatë kontrollit në automjetin e shtetasit A. M. u gjetën 1 armë zjarri kallashnikov dhe një sasi kokaine.

5 shtetasit e tjerë të arrestuar, të pranishëm në lokal në momentin e ndërhyrjes së Policisë, dyshohet se kanë patur dijeni për këtë veprimtarinë kriminale në lokal, por nuk kanë kallëzuar.

Materialet procedurale iu referuan Prokurorisë së Tiranës, për veprime të mëtejshme.