Prej ditësh përflitet se do ketë shkarkime ministrash në mbledhjen e pazakontë të qeverisë që Rama e ka thirrur në Tepelenë.
Emrat që qarkullojnë janë disa, por si çdo herë, është vetë Rama që do vendosë në sekondën e fundit.
Në media ndërkohë kanë nisur spekulimet. Duket e habitshme, por ‘bastet e para’ këtë herë janë hedhur në shtypin e diasporës.
Gazeta Bota e Re që del ne Zvicer per komunitetin shqiptar të atjeshëm, thotë se burimet e tyre flasin për largimin e Ministres së Bujqësisë, Turizmit, Kulturës dhe Financave.
“Jemi lajmeruar nga disa kolege nga Kosova se ne Kabinet mund te perfshihen emra si Artan Lame tek Kultura, Auron Tare tek Turizmi, Erion Brace tek Bujqesia” – tha një gazetar i Bota e Re për DITA.
Në Tiranë ndërkohë përflitet largimi i ministres Krifca për shkak të hetimit të OLAF mbi fondet e AZHBR, si dhe i ministres Ibrahimaj. Ka zëra se Rama mund të lëviz edhe ministrin e drejtësisë, Ulsi Manja.
Nga emrat që ka dhënë kolegu nga Kosova bie në sy emri i Auron Tares. Një emërim i tij do ishte i mirëpritur, por i habitshëm, duke patur parasysh që Tare ka qenë një opozitar i fortë i politikave të Ramës në lëmin e kulturës, veçanërisht për statusin e Butrintit.
I njohur për miqtë e tij me influencë në SHBA, Tare shoqëroi së fundmi për herë të dytë, vajzën e Donald Trump, në vizitën e saj në jug të vendit, ku janë takuar edhe me kryeministrin Rama (foto, Ivana Trump dhe Rama).
Edhe Erjon Braçe njihet si zë opozitar brenda PS, i angazhuar në vijimësi me problemet e bujqësisë, kurse Artan Lame u largua pak kohë më parë nga drejtimi i Kadastrës.