25 nxënës të degës së pikturës në shkollën e mesme artistike "Jan Kukuzeli" në Durrës kanë paraqitur mbi 100 punime në ekspozitën që u hap këto ditë në mjediset e "Art Kultural Bar".

"Tablotë e punuara kryesisht me laps eksplorojnë natyrën njerëzore," -tha pedagogu Franc Priska, i cili është kujdesur për ecurinë e nxënesve, së bashku me kolegët Yllka Myshketa, Albana Meta dhe Lusien Koçi.

Kjo është ekspozita e katërt e këtij viti në mjediset e “Art Kultural Bar”, e cila ka financuar edhe fituesit e katër çmimeve të para gjatë ekspozitës së fundit.

Ornela Seferi, Arens Ibrahimi, Armir Asllani dhe Anjeza Beqiri u shpallën fitues të vendeve të para, ndërsa morën vlerësimet e bashkënxënësve dhe prindërve të tyre edhe Mariglen Sinani, e Griselda Kula.

Shkolla "Jan Kukuzeli" në Durrës ka krijuar një traditë të mirë në ekspozimin e punimeve të artistëve të rinj.