Prokuroria e Posaçme kundër Korrupsionit dhe Krimit të Organizuar (SPAK) ka përfunduar hetimet dhe ka dërguar për gjykim tre anëtarë të grupit “Bajri” që planifikuan të ekzekutonin Aleksandër Prendin dhe vetë këtë të fundit.
Njoftimi i SPAK
SPAK dërgon për gjykim një grup të strukturuar kriminal për tentativë vrasjeje, armëmbajtje pa leje dhe vepra të tjera të rënda penale
Prokuroria e Posaçme kundër Korrupsionit dhe Krimit të Organizuar ka përfunduar hetimet dhe ka dërguar për gjykim katër persona të akuzuar për pjesëmarrje në një grup të strukturuar kriminal, tentativë vrasjeje, armëmbajtje pa leje dhe vepra të tjera të rënda. Dosja e procedimit penal nr. 220 e viti 2024 është dërguar në Gjykatën e Posaçme të Shkallës së Parë për Korrupsionin dhe Krimin e Organizuar.
Të pandehur në këtë procedim penal janë shtetasit: Aleksandër Prendi, Franko Leka, Izmir Sakicaj dhe Samuel Troshani.
Aleksandër Prendi i akuzar për kryerjen e veprave penale “Vrasje në rrethana të tjera cilësuese” kundër dy ose më shumë personave, e mbetur në tentativë, parashikuar nga nenet 79/dh dhe 22 të Kodit Penal në dëm të shtetasve, Izmir Sakica, Franko Leka, Samuel Troshani dhe “Mbajtje pa leje të armëve luftarake”, parashikuar nga neni 278/1 i Kodit Penal.
Franko Leka i akuzuar për kryerjen e veprave penale “Sigurim i kushteve dhe i mjeteve materiale për të kryer vrasje”, kryer në bashkëpunim të veçantë, atë grupit të strukturuar kriminal në dëm të shtetasit Aleksandër Prendi; “Mbajtje pa leje e armëve luftarake“, kryer në bashkëpunim të veçantë, atë të grupit të strukturuar kriminal, “Grup i strukturuar kriminal”, në formën e pjesëmarrjes dhe “Kryerje e veprave penale nga organizata kriminale dhe grupi i strukturuar kriminal”, parashikuar nga nenet 80 e 28/4, 278/1 e 28/4, 333/a/2 dhe 334/1 të Kodit Penal.
Izmir Sakicaj i akuzuar për kryerjen e veprave penale “Sigurim i kushteve dhe i mjeteve materiale për të kryer vrasje”, e kryer në bashkëpunim të veçantë, atë grupit të strukturuar kriminal në dëm të shtetasit Aleksandër Prendi; “Mbajtje pa leje të armëve luftarake” kryer në bashkëpunim të veçantë, atë të grupit të strukturuar kriminal, “Grup i strukturuar kriminal” në formën e pjesëmarrjes dhe “Kryerje e veprave penale nga organizata kriminale dhe grupi i strukturuar kriminal”, parashikuar nga nenet 80 e 28/4, 278/1 e 28/4, 333/a/2 dhe 334/1 të Kodit Penal.
Samuel Troshani, i akuzuar për kryerjen e veprave penale “Sigurim i kushteve dhe i mjeteve materiale për të kryer vrasje”, kryer në bashkëpunim të veçantë, atë grupit të strukturuar kriminal në dëm të shtetasit Aleksandër Prendi; “Mbajtje pa leje të armëve luftarake” kryer në bashkëpunim të veçantë, atë të grupit të strukturuar kriminal, “Grup i strukturuar kriminal” në formën e pjesëmarrjes dhe “Kryerje e veprave penale nga organizata kriminale dhe grupi i strukturuar kriminal”, parashikuar nga nenet 80 e 28/4, 278/1 e 28/4, 333/a/2 dhe 334/1 të Kodit Penal.
Nga hetimet e zhvilluara rezulton se të pandehurit, Izmir Sakicaj, Samuel Troshani dhe Franko Leka dyshohet se janë pjesë e një grupi kriminal, i përfshirë në veprimtari kriminale, si: kryerje e veprave penale të dhunshme, tentativë për vrasje, mbajtje dhe përdorim të armëve të zjarrit si dhe përfitim të të ardhurave pa origjinë të ligjshme. Të pandehurit Izmir Sakicaj dhe Samuel Troshani rezultojnë të jenë përfshirë edhe më herët në ngjarje kriminale për vepra kundër jetës, rendit dhe sigurisë publike.
Ngjarja, objekt procedimi ka ndodhur në datë 23.8.2028, rreth orës 17:00 të pasdites, kur të pandehurit, së bashku me persona të tjerë ende të paidentifikuar nga hetimi janë nisur me tre automjete të blinduara nga zona e Dobraçit në drejtim të fshatit, Rranxë (njësi administrative, Bushat, Bashkia e Vaut të Dejës), ku ndodhej banesa e shtetasit Aleksandër Prendi. Motivi besohet se lidhet me mosmarrëveshje të mëparshme.
Hetimet provojnë se personat e përfshirë kanë qenë të armatosur dhe kanë vepruar në mënyrë të organizuar me qëllim eleminimin fizik të shtetasit, Aleksandër Prendi. Mes tyre ka pasur shkëmbim zjarri por nga ky incident nuk rezultojnë persona të dëmtuar, por janë konstatuar vetëm dëmë materiale të automjeteve të përdorura nga të pandehurit.
Megjithëse nuk është bërë e mundur identifikimi i të gjithë personave, pjesëtarë të grupit kriminal që ndodhej në vendin e ngjajrjes, provohet se i pandehuri Aleksandër Prendi ka qëlluar të paktën në drejtim të dy apo më shumë personave, me qëllim vrasjen e tyre, e mbetur në tentativë.
Si pasojë e shkëmbimit të zjarrit, në vendngjarje janë dëmtuar disa automjete të blinduar dhe një mjet tjetër i përdorur. Konkretisht, është dëmtuar një Audi A8 i blinduar me targa gjermane SWAG276, i gjetur në vendngjarje në gjendje të fikur, si dhe një tjetër Audi A8 me targa AA021RU, në pronësi të shtetasit Franko Leka, i cili është larguar më pas. Ky automjet është sekuestruar si provë materiale pas këqyrjes ku janë konstatuar dëmtime nga armë zjarri.
Gjithashtu, është konstatuar një Mercedes Benz S600 i blinduar me targa AB857LV, i cili është larguar nga vendngjarja dhe është ndaluar më vonë nga policia, nën drejtimin e shtetasit Safet Bajri.
Në vendngjarje është gjetur i dëmtuar edhe një BMW me targa AB216LL, e marrë me qira nga shtetasi Aleksandër Prendi, i cili, sipas të dhënave hetimore dhe ekspertimeve të telefonit, dyshohet se ka qenë i përfshirë në shkëmbimin e zjarrit.
Pavarësisht hetimeve të deritanishme, një pjesë e personave të dyshuar si pjesëmarrës në ngjarje mbeten ende të paidentifikuar dhe hetimet vijojnë për dokumentimin e plotë të rrethanave dhe rolit të secilit prej personave të përfshirë.
Sqarim: Çdo person prezumohet i pafajshëm deri sa nuk vërtetohet fajësia e tij me vendim gjyqësor të formës së prerë.





