Ishin duke ngrënë në një qebaptore në rrugën “Emilia all’Angelo”, në afërsi të urës Crostolo, kur u afruan oficerët e policisë, të cilët po i ndiqnin që kur dolën nga një ndërtesë pak metra më tutje, raportojnë mediet lokale.

Dy shtetasit shqiptarë, pa leje qëndrimi në Itali, pasi panë karabinierët u ndanë dhe tentuan arratisjen në këmbë. Françesko Xhepa, 23 vjeç, u hodh nga ura për t’i shpëtuar policisë, por u ndalua në rrugën “XX Setembre”. U arrestua edhe bashkëkombasi i tij Enert Çollaku, 26 vjeç, që kishte mbërritur në Itali një ditë më parë.

Gjatë kontrollit të tyre, dy të rinjve shqiptarë iu gjetën doza kokaine dhe disa qindra euro para cash. Pasi vijuan kontrollin edhe në banesën nga e cila dy të rinjtë dolën pak më parë, karabinierët zbuluan edhe 104 gramë kokainë të tjera si dhe 3 mijë euro.

Nëse do të shitej në treg sasia e drogës së gjetur në banesë do të përfitoheshin rreth 6000 euro. Po ashtu u gjetën edhe pajisje për paketimin e drogës. Operacioni anti-drogë nisi pas raportimeve të banorëve të zonës.