Policia e Gjirokastrës ka zbardhur vrasjen e 72-vjeçarit Faik Ajdini, ngjarje e ndodhur në Memaliaj 3 ditë më parë.
Në konferencë për shtyp, drejtori i Policisë së Gjirokastrës Ardian Çipa bëri me dije se ditën e sotme është arrestuar autori kryesor i vrasjes, Blerti Kanushi 23 vjeç.
Të arrestuar për këtë ngjarje është edhe një familje, bashkëshortët Skënder 71 vjeç e Dorovi Ajdini 64 vjeç, si dhe djali i tyre Bledar Ajdini 43 vjeç.
72-vjeçari Faik Ajdini u vra me thikë për shkak të një konflikti për një gardh ndarës me fqinjët e tij, çiftin Skënder e Dorovi Ajdini. Policia deklaroi se këta të fundit kishin pajtuar dhe nxitur Blerti Kanushin që të kryente krimin. Në vrasje morën pjesë Blerti Kanushi dhe Skënder Ajdini. Pasi e vranë me thikë 72-vjeçarin, trupi i këtij të fundit u mor nga çifti i bashkëshortëve Skënder e Dorovi Ajdini dhe u hodh në përrua. Ndërsa Blerti Kanushi u arratis.
“Nga dinamika hetimore u konkludua se për shkak të konflikteve për motive të dobëta ndërmjet viktimës, shtetasit Faik Ajdini, dhe bashkëshortëve Skënder dhe Darovi Ajdini, këta të fundit kanë nxitur shtetasin Blerti Kanushi, 23 vjeç, i kanë krijuar kushtet dhe i kanë siguruar mjetet, për kryerjen e vrasjes. Ky shtetas, në bashkëpunim me shtetasin Skënder Ajdini, më datë 19 gusht 2024, rreth orës 07:00 të mëngjesit, kanë kryer vrasjen me thikë të shtetasit Faik Ajdini dhe më pas Blerti Kanushi është larguar nga vendi i ngjarjes. Pas kryerjes së krimit, Skëndër Ajdini me shtetasen Darovi Ajdini kanë kryer veprime aktive për pengimin e zbulimit të së vërtetës, duke bërë përpjekje për të zhdukur provat e krimit. Shtetasi Bledar Ajdini, në dijeni të plotë për krimin, ka përkrahur autorin e krimit, duke mos informuar institucionet ligjzbatuese për vendndodhjen e tij”, deklaroi drejtori i Policisë së Gjirokastrës.
Për të ndihmuar në fshehjen e krimit dhe përkrahu autorin kryesor, u përfshi edhe Bledar Ajdini, djali i çiftit, i cili gjithashtu u arrestua.
Trupi i Faik Ajdinit 72 vjeç ishte hedhur në një përrua dhe u gjet nga kërkimet e familjarëve dhe policisë.