Dy shqiptarë kanë përfunduar në pranga të policisë italiane, pasi një prostitutë bashkëpunoi me karabinierët.

Sipas mediave të vendit fqinjë bëhet e ditur se dy shqiptarët kishin krijuar një rrjet të madh prostitucioni rreth rrugës “Monte Rosa” në Milano. Lidhur me aktivitetin që ata ngritën mësohet se ishin shumë të dhunshem dhe dinakë. Por këtë herë mesa duket nuk kanë mundur që t’u shpëtojnë forcave të rendit.

Sipas policisë në pranga kanë rënë Indrit Arapi, 34 vjeç, i njohur dhe si koka e grupit të prostitucionit dhe bashkëpunëtori i tij i ngushtë Gentjan Hoxha, 45 vjeç. Mësohet se shqiptari Arapi është dënuar me 4 vite e një muaj burg, ndërsa Hoxha me 3 vite e 8 muaj burg.

Pjesa tjetër e grupit dyshohet të jetë arratisur në Shqipëri pas dënimeve të dhëna ndaj tyre vitin e shkuar.

Arapi ishte drejtuesi i grupit dhe merrte apartamente me qira ku kryhej aktiviteti. Hoxha ndërkohë kontrollonte femrat gjatë punës së tyre. Pas akteve seksuale, klientëve u ofroheshin edhe doza kokaine.

Të paktën 7 apartamente janë zbuluar ku ushtrohej aktivitetin nga viktimat e tyre, ndërkohë që banda shquhej për ndërrimet e shpeshta të makinave dhe të numrave të telefonit. Madje, në disa raste makinat ndërroheshin brenda 20 ditëve.

Dy të arrestuarit kanë precedentë penalë, pasi në vitin 2006 janë dënuar për trafik droge në Torino.