5 persona, tre prej tyre shqiptarë, janë arrestuar nga policia greke si të përfshirë në tregtinë e drogës në Rodos të Greqisë, raportojnë mediat greke.

Grupi kriminal, që drejtohej nga 40-vjeçari Alen Rizvani, siguronte sasitë e nevojshme të lëndëve narkotike nga Athina, organizonte transportin e tyre me anë të anijeve nga Pireu në Rodos, ku dhe më pas shpërndahej.

Bashkëpunëtorë të tij janë 46-vjeçari Ermal Shametaj, 37-vjeçari Sotir Pano si dhe dy shtetas grekë, mes të cilëve një ushtar.

Aktivitetet e organizatës kriminale u ndaluan përkohësisht kur dy femra 24 dhe 32-vjeçare, të cilat kishin qenë përgjegjëse për transportimin e sasive të mëdha të kokainës nga Pireu në Rodos, u arrestuan në maj dhe qershor 2025 me sasi të mëdha kokaine. Ky ndalim, siç doli më vonë, ishte një veprim strategjik vetëmbrojtës nga anëtarët e organizatës kriminale, por anëtari kryesor, pas një periudhe të shkurtër kohore, filloi procesin e rigrupimit, duke kërkuar anëtarë të rinj.

Disa nga anëtarët, duke përfituar nga fakti që kishin një të kaluar të pastër kriminale, lëviznin pa u vënë re aktiviteti i tyre i paligjshëm, duke siguruar kështu funksionimin e rregullt dhe të qetë të organizatës kriminale.

Nga hetimi i përgjithshëm, u përcaktua se organizata kriminale dyshohet se tregtoi të paktën 7 kilogramë kokainë, me një vlerë shitjeje të vlerësuar prej mbi 700.000 eurosh.

Në total, gjatë hetimeve të kryera, u gjetën dhe u sekuestruan 327.395 euro, kanabis i papërpunuar me një peshë totale bruto prej 1.6 kg, kokainë me një peshë totale bruto prej 27.23 gramë, 4 peshore precize, telefona celularë dhe ditarë me shënime të shkruara me dorë.