Mbyllet turneu i tenisit “Durrës Open” për kategoritë Junior U-10, U-12 dhe U-14. 36 tenistë të ekipeve nga disa qytete të vendit, për 3 ditë me radhë garuan me njëri-tjetrin për të përzgjedhur më të mirët në kategoritë respektive.

Fitues për kategorinë U10 meshkuj dhe femra u shpallën Ares Ferhati dhe Anjel Hoxha. Për kategorinë U-12 ngriti kupën e turneut Alex Prifti, ndërsa për kategorinë U14 fitues dolën Ana Tereza Guli për vajza dhe Arlis Muka për djem.

Trajneri Maksi Prifti tha për “DurrësLajm” se megjithëse nuk ka një traditë shumë të zhvilluar në vendin tonë krahasuar me sportet masive, falë mbështetjes së Federatës së Tenisit vitet e fundit shumë të mitur dhe të rinj po arrijnë rezultate mbresëlënëse në këtë sport.

Disa prej kampionëve kombëtarë në kategoritë respektive e shohin të ardhmen e tyre në këtë sport dhe synojnë që rezultatet e arritura deri më tani t’i perfeksionojnë edhe më shumë dhe pse jo të bëhen tenistë të famshëm në arenën ndërkombëtare.

Alex Prifti, kampion për U-12 ka 3 vite që praktikon tenisin dhe brenda një kohe të shkurtër është shpallur më i miri në rang kombëtar për kategorinë e tij. Në të ardhmen, ai synon të jetë një tenist shumë i mirë.  

Ares Ferhati, kampion për U-10 është ndër më të vegjlit e këtij turneu, por pasioni për këtë sport e ka shtyrë t’i përkushtohet totalisht. Babai i tij ka qenë shtysa që ai të merrej me tenis. Në synimet e tij për të ardhmen është të bëhet një tenis i famshëm në rang botëror.

Ndërsa për Emili Bilalin, kampione në U-12, tenisi është një sport shumë i dashur. Ndeshjet që shihte në TV së bashku me të atin e shtynë vajzën e vogël të merrej seriozisht me këtë sport, të cilit i dedikon shumë kohë për t’u perfeksionuar gjithnjë e më shumë.

Pandemia Covid-19 ndikoi jo pak në zhvillimin e aktiviteteve sportive, por rikthimi i sportistëve të vegjël në fushat e blerta është një mundësi e mirë për ta për një jetë sa më aktive dhe rezultate sa më të larta në disiplinat që ata ushtrojnë.

M.B.