Bashkëpunimi dhe koordinimi i veprimeve mes Policisë Kufitare dhe strukturave doganore Durrës çoi në sekuestrimin e një sasie të madhe eurosh në portin më të madh të vendit.
Policia njoftoi se ka sekuestruar 294 030 euro, ndersa ka arrestuar në flagrancë 1 drejtues mjeti, ku u gjeten plot 282 265 euro, Mesohet se Ferdinant Murikaj ishte shoferi i kamionit ku u gjetën mbi 282 mijë euro të cilat u sekuestruan.
Po ashtu u procedua dhe shoferi i kamionit tjetër, A.L që kishte me vete 11 mijë e 700 euro të padeklaruara teksa i kishte fshehur në çantë personale.
Policia njoftoi se është shpallur në kërkim pronari i firmës që merrej me transportin e mjeteve.
Pronari i firmës së kamionëve që kryente transportin e mjeteve nga Italia në Shqipëri është Erjon Jovani që është aktualisht në kërkim.
Njoftimi i policisë:
Shërbimet e Policisë Kufitare, në zbatim të masave për parandalimin dhe goditjen e krimeve ndërkufitare në bashkëpunim me strukturat doganore, kanë intensifikuar kontrrollet si në dalje, ashtu dhe në hyrje, në Portin e Durrësit.
Si rezultat i kontrolleve të shtuara bazuar dhe në analizën e riskut të bërë nga shërbimet e Policisë në PKK Durrës në bashkëpunim me strukturat doganore, janë kaluar në vijën e dytë për kontrroll të imtësishëm 2 mjete tip kamion, të cilët transportonin mjete Itali-Shqipëri, me drejtues shtetasit F. M., dhe A. L.
Specialistët për Hetimin e Krimit Ekonomik dhe Financiar në DVP, shërbimet e Policisë Kufitare dhe strukturat doganore, nën drejtimin e Prokurorisë së Rrethit Gjyqësor Durrës, gjatë kontrollit në automjetin me drejtues shtetasin F. M., gjetën të fshehura në pjesë të ndryshme të mjetit një sasi vlere monetare prej 282 265 eurosh.
Në vijim të veprimeve u arrestua në flagrancë shtetasi F. M., 29 vjeç, banues në Lezhë, për veprën penale “Mosdeklarimi i të hollave dhe sendeve me vlerë në kufi”.
Shërbimet e Policisë kanë vijuar me kontrollin e automjetit tjetër me drejtues shtetasin A. L., ku në çantën personale të tij, u gjetën dhe sekuestruan në cilësinë e provës materiale, një sasi vlere monetare prej 11 765 eurosh.
Specialistët për Hetimin e Krimit Ekonomik dhe Financiar, proceduan penalisht shtetasin A. L., 34 vjeç, banues në Lushnjë, për veprën penale “Mosdeklarimi i të hollave dhe sendeve me vlerë në kufi”.
Po në vijim të veprimeve u bë shpallja në kërkim e shtetasit E. J., 36 vjeç, (pronari i firmës që bënte transportin e mjeteve), për veprën penale “Pastrimi i produkteve të veprës penale ose veprimtarisë kriminale”.
Materialet i kaluan Prokurorisë së Rrethit Gjyqësor Durrës, për veprime të mëtejshme.





